Kanadaja do të heqë tarifat për mallrat amerikane nën marrëveshjen tregtare CUSMA
Kryeministri kanadez tha se vendimi do të hyjë në fuqi që nga 1 shtatori dhe do të përjashtojë tarifat për çelikun, aluminin dhe automobilat

Washington DC
Kanadaja ka bërë të ditur se nga muaji i ardhshëm do të eliminojë të gjitha kundër-tarifat për produktet amerikane në kuadër të Marrëveshjes Kanada-SHBA-Meksikë (CUSMA), transmeton Anadolu.
“Qeveria kanadeze tani do të barazohet me SHBA-në, duke hequr të gjitha tarifat e Kanadasë për mallrat amerikane të mbuluara posaçërisht nën marrëveshjen CUSMA”, u tha kryeministri kanadez Mark Carney gazetarëve pas një takimi të kabinetit.
Kryeministri kanadez tha se vendimi do të hyjë në fuqi që nga 1 shtatori dhe do të përjashtojë tarifat për çelikun, aluminin dhe automobilat.
Ndryshimi do të thotë se një gamë e mallrave të konsumit të prodhuara në SHBA nuk do të përballen më me tarifat prej 25 për qind nëse ato përputhen me marrëveshjen CUSMA, marrëveshja e dytë më e madhe e tregtisë së lirë në botë për sa i përket vëllimit të tregtisë, e njohur edhe si Marrëveshja SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA).
Më 31 korrik, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që rriti normën e tarifës ndaj Kanadasë nga 25 në 35 për qind.
Shtëpia e Bardhë tha se norma e re e tarifës ndaj Kanadasë hyri në fuqi më 1 gusht, duke akuzuar Kanadanë për dështimin e bashkëpunimit në përpjekjet për të ndaluar rrjedhën e fentanilit dhe drogave të tjera të paligjshme, ndërkohë duke u hakmarrë edhe kundër veprimeve të ndërmarra nga SHBA-ja.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.