Ekonomi

"Inteligjenca artificiale nuk do të shkaktojë shumë humbje të fuqisë punëtore aq sa për t‘u shqetësuar"

"Edhe pse miliona vende pune janë humbur për shkak të inteligjencës artificiale, shumë më tepër vende të reja pune janë krijuar", tha drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), Gilbert F. Houngbo

Nuran Erkul Kaya  | 24.01.2025 - Përdıtësım : 25.01.2025
"Inteligjenca artificiale nuk do të shkaktojë shumë humbje të fuqisë punëtore aq sa për t‘u shqetësuar" Foto: Ömer Sercan Karkuş / AA

Davos

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), Gilbert F. Houngbo, ka deklaruar se inteligjenca artificiale nuk do të shkaktojë shumë humbje të fuqisë punëtore aq sa për t‘u shqetësuar, raporton Anadolu.

Në kuadër të Takimit të 55-të Vjetor të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) të mbajtur në Davos të Zvicrës, Houngbo iu përgjigj pyetjeve të Anadolu-t në lidhje me tregjet ndërkombëtare të punës dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në profesione.

Duke shprehur ndikimin e inteligjencës artificiale në profesione dhe nevojën për të menaxhuar me kujdes këtë proces transformimi, Houngbo tha se "edhe pse miliona vende pune janë humbur për shkak të inteligjencës artificiale, shumë më tepër vende të reja pune janë krijuar".

"Inteligjenca artificiale nuk do të shkaktojë shumë humbje të fuqisë punëtore aq sa për t‘u shqetësuar. Shqetësimi im kryesor nuk është humbja e vendeve të punës që do të shkaktojë inteligjenca artificiale, por potenciali i saj për të thelluar pabarazitë në fuqinë punëtore. Inteligjenca artificiale duhet të jetë në qendër të njeriut. Kjo teknologji duhet të përdoret si një mjet që do të përmirësojë cilësinë e jetës së njerëzve. Proceset e edukimit dhe përvetësimit të talenteve, janë kritike në mënyrë që tregu i punës të përballet me ndikimet e inteligjencës artificiale", tha Houngbo.

I pyetur për këshilla për të rinjtë, Houngbo theksoi rëndësinë e edukimit në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, duke theksuar se këto trajnime janë të domosdoshme.

Houngbo theksoi gjithashtu rëndësinë e trajnimit profesional dhe zhvillimin e aftësive të buta të tilla si komunikimi dhe lidershipi.

"Inteligjenca artificiale nuk mund të zëvendësojë ende aftësi të tilla të buta. Zhvillimi i këtyre aftësive nga të rinjtë do t'u mundësojë atyre të fitojnë një avantazh në tregun e punës. Prirja e të rinjve për teknologjinë është premtuese, por duhet të rritet harmonizimi midis tregut të punës dhe sistemeve arsimore", tha ai.


- "Punësimi i paregjistruar është një nga problemet më të mëdha që duhet të zgjidhim"

Duke vlerësuar situatën më të fundit në tregun global të punës, Houngbo njoftoi se shkalla e papunësisë është kthyer në nivelin para pandemisë, respektivisht rreth 5 për qind dhe se kjo normë nuk do të ndryshojë ndjeshëm këtë vit.

Houngbo theksoi se janë parë përmirësime në normat e papunësisë së të rinjve në nivel global/

"Por normat e pjesëmarrjes së grave të reja në punësim janë shumë më të ulëta në krahasim me të rinjtë meshkuj. Prandaj pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore është burim i një shqetësimi të madh", shtoi ai.

Ai po ashtu ndau informacione se rreth 2 miliardë njerëz në mbarë botën punojnë joformalisht,

"Kjo përbën rreth 60 për qind të fuqisë punëtore në botë dhe këta njerëz punojnë pa asnjë mbrojtje sociale. Puna e padeklaruar është një nga problemet më të mëdha që duhet të zgjidhim. Në këtë kontekst papunësia duhet të trajtohet përtej metodave tradicionale të matjes. Në mbarë botën janë rreth 183 milion njerëz aktivë që kërkojnë punë. Krahas kësaj, 137 milionë persona shpresojnë të gjejnë punë, por nuk kërkojnë në mënyrë aktive dhe 83 milionë të tjerë kanë hequr dorë nga kërkimi i punës. Pra, janë gjithsej 400 milionë njerëz që janë të papunë në një mënyrë", tha Houngbo.

Houngbo theksoi se përafrimi i politikave ekonomike me politikat e punësimit janë me rëndësi kritike.


- "Nuk ka asnjë standard global në punën hibride dhe në distancë"

Lidhur me mënyrën e modelit hibrid dhe të punës në distancë, i cili u përhap gjerësisht gjatë pandemisë COVID-19, Houngbo tha se, "Nuk ka asnjë qasje standarde në shkallë globale për këtë çështje, edhe pse disa kompani i kanë thirrur sërish punonjësit e tyre në punën e zyrës me kohë të plotë".

Houngbo deklaroi se modelet hibride luajnë një rol të rëndësishëm në sigurimin e balancës punë-jetë të punonjësve, duke theksuar se, "Të rinjtë kërkojnë punë kuptimplote dhe përmbushëse, jo vetëm për pagën. Modelet hibride dhe fleksibël të punës mund të luajnë një rol kritik për të ruajtur këtë balancë".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.