India dhe BE-ja nënshkruajnë dokumentin mbi përfundimin e negociatave për paktin e tregtisë së lirë
Nënshkrimi u bë pas bisedimeve në nivel samiti midis kryeministrit indian Narendra Modi dhe udhëheqësve të BE-së, Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa në New Delhi
Stamboll
India dhe Bashkimi Evropian nënshkruan sot një dokument mbi përfundimin e negociatave për marrëveshjen e tregtisë së lirë (MTL), raportoi "Press Trust of India", transmeton Anadolu.
Nënshkrimi u bë pas bisedimeve në nivel samiti midis kryeministrit indian Narendra Modi dhe udhëheqësve të BE-së, Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa në New Delhi.
Të dyja palët nënshkruan gjithashtu një marrëveshje partneriteti për sigurinë dhe mbrojtjen si dhe një pakt mbi një kornizë "gjithëpërfshirëse" për lëvizshmërinë.
"India sot nënshkroi marrëveshjen e saj më të madhe të tregtisë së lirë me Bashkimin Evropian prej 27 vendesh", tha Modi në fjalimet e tij për mediat.
Sekretari indian i Tregtisë, Rajesh Agrawal tha të hënën se India dhe BE-ja kishin finalizuar MTL-në e tyre.
Marrëveshja pritet të nënshkruhet më vonë këtë vit dhe mund të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, tha Agrawal.
New Delhi dhe Brukseli kanë qenë të angazhuar në bisedime për MTL-në për rreth 20 vjet përpara se të dyja palët të arrinin në një përfundim të hënën.
Sipas qeverisë indiane, BE-ja mbetet partneri më i madh tregtar i Indisë për mallra, me një vëllim tregtar dypalësh që arriti në afërsisht 136 miliardë dollarë në vitet 2024-2025.
