Ekonomi

IEA gati të shfrytëzojë më shumë rezerva të naftës ndërsa çmimet globale të energjisë rriten

"Ne ende kemi sasi të konsiderueshme rezervash. Nëse është e nevojshme, jemi gati të ecim përpara, por shpresoj shumë që nuk do të jetë e nevojshme", tha drejtori i IEA-së, Birol

Mücahithan Avcıoğlu  | 25.03.2026 - Përdıtësım : 25.03.2026
IEA gati të shfrytëzojë më shumë rezerva të naftës ndërsa çmimet globale të energjisë rriten

Stamboll

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) është e përgatitur të lirojë rezerva shtesë nafte emergjente nëse është e nevojshme ndërsa çmimet globale të energjisë rriten mes shqetësimeve në rritje të furnizimit, raportoi sot "Bloomberg" duke cituar kreun e agjencisë, transmeton Anadolu.

Drejtori ekzekutiv i IEA-së, Fatih Birol i bëri këto komente në Tokio pasi kryeministrja japoneze Sanae Takaichi i kërkoi IEA-së të përgatitej për një lirim të dytë të rezervave emergjente.

"Nëse situata kërkon më shumë mbështetje nga IEA, ne jemi aty", tha Birol, një ekonomist turk, në përgjigje të komenteve të Takaichi-t. "Ne ende kemi sasi të konsiderueshme rezervash. Nëse është e nevojshme, jemi gati të ecim përpara, por shpresoj shumë që nuk do të jetë e nevojshme", tha ai.

Komentet e tij erdhën ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet pjesërisht e mbyllur për transportin detar, duke nxitur frikën e një ndërprerjeje të zgjatur të furnizimit dhe duke i shtyrë çmimet e energjisë ndjeshëm më lart.

IEA njoftoi më parë këtë muaj se do të lironte 400 milionë fuçi naftë nga rezervat emergjente, rënia më e madhe e rezervave në historinë e agjencisë.

Mbyllja e pjesshme e Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për dërgesat globale të naftës dhe LNG-së, ka intensifikuar shqetësimet mbi disponueshmërinë e furnizimit dhe ka shtuar paqëndrueshmërinë në tregjet e energjisë.

Japonia varet shumë nga nafta e Lindjes së Mesme, duke e lënë të ekspozuar ndaj luftës në Iran dhe mbylljes "de facto" të ngushticës. Ajo pritet të enjten të fillojë të nxjerrë naftë të papërpunuar nga rezervat e saj strategjike.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.