Ekonomi

Hekurudha Fushë Kosovë-Hani i Elezit do të rehabilitizohet deri në vitin 2021

Kryeministri Haradinaj theksoi se punimet do të zgjasin 24 muaj, për çka linja hekurudhore 10 do të jetë e gatshme në fillim të vitit 2021

Zülfiya Yakup   | 06.02.2019
Hekurudha Fushë Kosovë-Hani i Elezit do të rehabilitizohet deri në vitin 2021 ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Me anë të një ceremonie, sot u nënshkrua kontrata për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10, segmenti Fushë Kosovë - Hani i Elezit në gjatësi prej 65 kilometrash, raporton Anadolu Agency (AA).

Kontrata u nënshkruar mes kompanisë publike Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës - INFRAKOS dhe kompanisë italiane Generale Construzioni Ferrovarie-GCF.

Në ceremonin e organizuar në Qeverinë e Kosovës kontrata u nënshkrua nga kryeshefi Ekzekutiv i INFRAKOS-it Agron Thaçi dhe drejtori gjeneral i GCF-së Eduardo Rossi, në prani të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe përfaqësuesit të Komisionit Evropian në Kosovë, Luigi Bruso.

Kryeministri Haradinaj theksoi se punimet do të zgjasin 24 muaj, për çka linja hekurudhore 10 do të jetë e gatshme në fillim të vitit 2021.

Ai tha se Kosova do të ketë hekurudha me një cilësi të pranueshme, në funksion të qarkullimit të mallrave dhe të njerëzve, por edhe të lidhjeve ekonomike, "jo vetëm me Maqedoninë e Veriut në këtë rast, por edhe të ekonomive të rajonit".

"Pjesa e mirë e ditës së sotme është se ky është një investim i përbashkët, investon populli i Kosovës nga buxheti i vet, por po ashtu investon edhe BE-ja, përmes fondeve të IPA-s për aftësimin e hekurudhave tona", tha Haradinaj. 

- Projekti me ndikim pozitiv mbi ekonominë e Kosovës

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, deklaroi se kostoja e rehabilitimit të linjës hekurudhore 10, segmenti Fushë Kosovë – Hani i Elezit në gjatësi prej 65 kilometrash kap koston prej 78 milionë euro, ndërsa kostoja e përgjithshme e rehabilitimit të hekurudhave të Kosovës do të kushtojë 210 milionë euro, të cilat do të sigurohen përmes Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim".

Drejtori Gjeneral i INFRAKOS-it, Agron Thaçi, tha se projekti nuk është vetëm vendor, pasi ka lidhje edhe me rajonin dhe më gjerë.

“Kemi filluar dhe nuk do të ndalemi. Javën e ardhshme do të prezantohet edhe projekti tjetër prej 40 kilometrave dhe deri në pjesën e parë të vitit 2021 do t’i kemi të përfunduara afër 100 kilometra”, tha Thaçi.

Luigi Brusa, nga ana e tij tha se bëhet fjalë për tri faza. "Në fazën e parë, pjesa jonë është rreth 39 deri në 40 milionë euro, përfshirë edhe fazën e projektimit. Do të ketë një pjesë në mes të Fushë Kosovës dhe Mitrovicës për çka do të ofrojmë rreth 17 deri 18 milionë euro, prandaj jemi në përgatitje të hartimit të fazës së tretë mes Mitrovicës dhe kufirit me Serbinë”, tha Brusa për të shtuar se projekti do të ketë ndikim shumë pozitiv mbi ekonominë e Kosovës, pasi do të krijojë 160 vende pune.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın