Hapet sesioni përmbyllës i Forumit të Biznesit Turqi-Egjipt në Kajro
Hapet sesioni përmbyllës i Forumit të Biznesit Turqi-Egjipt në Kajro
Kajro
Sesioni përmbyllës i Forumit të Biznesit Turqi-Egjipt nisi sot në Kajro, ndërsa presidenti turk Recep Tayyip Erdogan mbërriti në kryeqytetin egjiptian për një vizitë zyrtare, raporton Anadolu.
Presidenti turk mbërriti në Kajro sot në mëngjes, ku u prit nga homologu i tij egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi.
Kanali shtetëror egjiptian “Extra News” njoftoi se sesioni përmbyllës i forumit të biznesit ka “pjesëmarrje të gjerë nga komunitetet biznesore në Egjipt dhe Turqi, si dhe nga institucionet financiare dhe ekonomike të të dy vendeve”.
Sipas kanalit, në sesion do të diskutohen “mundësitë për investime të përbashkëta, rritja e shkëmbimeve tregtare, nënshkrimi e marrëveshjeve të reja tregtare, si dhe mbështetja e partneriteteve mes sektorëve privatë të dy vendeve”.
Erdogan dhe Sisi pritet të marrin pjesë në sesionin përmbyllës të forumit më vonë gjatë ditës, tha kanali.
Sesioni i parë i forumit u mbajt në fillim të shkurtit në qytetin El Alamein në Bregun Verior të Egjiptit.
Forumi konsiderohet një nga takimet më të mëdha biznesore të organizuara ndonjëherë midis Egjiptit dhe Turqisë, me rreth 200 drejtues dhe zyrtarë nga sektori i tregtisë, industrisë dhe bursës së Turqisë, dhe më shumë se 100 përfaqësues biznesi nga Egjipti.
Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Egjiptit kanë shënuar përparim të dukshëm vitet e fundit, me vëllime të shkëmbimeve tregtare që po rriten me ritme të shpejta.
Vizitat dhe kontaktet në nivel të lartë kanë kontribuuar së fundmi në nisjen e disa projekteve të përbashkëta në fushat e tregtisë, energjisë, mbrojtjes, turizmit, shëndetësisë, teknologjisë dhe bujqësisë.
Vëllimi tregtar midis Turqisë dhe Egjiptit, i cili është partneri më i madh tregtar i Ankarasë në Afrikë, arriti 8,8 miliardë dollarë në 2024. Eksportet turke në Egjipt arritën 4,2 miliardë dollarë, ndërsa importet ishin 4,6 miliardë dollarë.
Erdogan dhe Sisi kanë vendosur si objektiv arritjen e një vëllimi tregtar bilateral prej 15 miliardë dollarësh deri në 2028.
Për të arritur këtë qëllim, ministritë përkatëse të të dy vendeve po intensifikojnë përpjekjet përmes një serie takimesh për të zhvilluar plane praktike që përmirësojnë mjedisin e investimeve dhe mbështesin këtë ambicie.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
