"Greqia në Mesdheun Lindor merr në konsideratë interesat e BE-së, jo të vendeve të rajonit"
Kreu i Institutit të Hulumtimeve Rajonale të Mesdheut Lindor, Behruz Cafer tha se Libia ka arsye të drejta që të bëjë marrëveshje për kufirin detar me Turqinë duke refuzuar Greqinë

Ankara
BÜŞRANUR BEGÇECANLI/MÜCAHİT AYDEMİR
Kryetari i Institutit të Hulumtimeve Rajonale të Mesdheut Lindor, Behruz Cafer tha se Libia ka arsye të drejta që të bëjë marrëveshje për kufirin detar me Turqinë duke refuzuar Greqinë.
Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), Cafer tha se bashkëpunimet e krijuara në rajon sot janë shndërruar në mjete që punojnë në favor të Bashkimit Evropian.
"Për të kuptuar interesat e Greqisë në Libi është e nevojshme që të shikohet ecuria e Partneritetit Evropë-Mesdhe i formuar 26 vite më parë", deklaroi Cafer, i cili rikujtoi se partneriteti i formuar me qëllimin për të rritur bashkëpunimin mes 15 vendeve të BE-së me shtetet bregdetare me Mesdheun Lindor në vitin 2008 mori emrin "Unioni për Mesdheun".
Ai tha se emri aktual Unioni për Mesdheun është shndërruar në "Unioni për Evropën" si pasojë e mbështetjes së BE-së ndaj politikave të Greqisë dhe Qipros greke.
"Shembulli i fundit i kësaj ishte kërcënimi nga kryeministri grek që vizitoi Tripolin me shprehjen ‘Anuloni marrëveshjen tuaj me Turqinë nëse dëshironi të normalizoni marrëdhëniet me BE-në'. Duhet të pyesim se në çfarë mase i përmbush BE-ja përgjegjësitë e saj ndaj rajoneve të tilla si Lindja e Mesme dhe Afrika. Ndërkohë është një e vërtetë e qartë se nuk ndan me askënd paqen dhe mirëqenien që ka arritur", theksoi Cafer.
Sipas tij, në këtë kuadër politika e Greqisë për Mesdheun Lindor, synon të burgosë Turqinë në një zonë. "Greqia merr në konsideratë interesat e BE-së duke injoruar interesat e vendeve të rajonit. Në fakt disa palë në ekuacionin e ndërlikuar të Mesdheut Lindor nuk dëshirojnë që Turqia të përfshihet në trafikun e energjisë në rajon. Turqia e cila me të drejtë ishte në kërkimin e një alternative, në nëntor 2019 nënshkroi me Qeverinë e Unitetit Kombëtar të Libisë Memorandumin e Mirëkuptimit lidhur me Kufizimin e Juridiksionit Detar në përputhje me kufijtë e zonës ekskluzive ekonomike", tha Cafer.
"Për Libinë është i rëndësishëm investimi i drejtë"
Lidhur me Libinë e cila në vend të Greqisë preferoi të dakordohet me Turqinë, Cafer tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e investimeve të drejta për Libinë dhe potencoi se investimet turke në vitin 2020 në fushat si ndërtim, infrastrukturë dhe energji në vend arrijnë në 120 miliardë dollarë.
Edhe për Turqinë Libia mund të shihet si një burim i rëndësishëm në energji, tha Cafer, i cili shtoi se disa bashkëpunime të planifikuara në Mesdheun Lindor në të cilin parashikohet se ka mbi 100 trilionë metër kub gaz natyror, i ka shtyrë në marrëveshje të reja vendet që nuk janë përfshirë në plan.
Cafer nënvizoi se shembull i kësaj është projekti i gazsjellësit EastMed që u nënshkrua në janar 2020 mes Izraelit, Qipros greke dhe Greqisë dhe i cili parashikon të transferojë në Evropë gazin e Mesdheut Lindor pa marrë në konsideratë kufijtë detarë të vendeve të rajonit.
"Aleanca Turqi-Libi mbart cilësinë e një përgjigjeje ndaj kësaj marrëveshjeje. Po ashtu është një e vërtetë që ndaj Greqisë nuk do të ndërpresin mbështetjen SHBA-ja dhe Franca të cilat kanë një peshë në rajon. Për këtë arsye përpjekjet e Greqisë dhe Qipros greke kundër Ankarasë do të vazhdojnë. Por, krahas kësaj të vërtete, unë mendoj se askush nuk do të mund të përfitojë nga rezervat e hidrokarbureve pa formuar një aleancë rajonale me Turqinë", deklaroi Cafer.
Në fjalën e tij, Cafer rikujtoi se menjëherë pas dakordimit Turqi-Libi, Qeveria e Greqisë për shkak të kësaj marrëveshjeje dëboi nga vendi në dhjetor 2019 ambasadorin e Libisë.
Përpjekjet e Athinës me Tripolin mbetën pa rezultat
Mohammad Menfi i cili më parë ushtronte detyrën e ambasadorit të Libisë në Greqi, u shpall "person i padëshirueshëm" nga Greqia dhe u dëbua nga vendi me arsyetimin se kishte refuzuar kërkesën e Athinës që të jepte deklaratë kundër memorandumit që Turqia dhe Libia nënshkruan më 27 nëntor 2019 lidhur me kufizimin e zonave të juridiksionit detar.
Menfi në Forumin Politik të Libisë që u mbajt në shkurt nën kryesimin e OKB-së në Libi, u zgjodh kryetar i Këshillit Presidencial të Libisë.
Ndërsa Qeveria e Athinës filloi të hedhë hapat për "rregullimin dhe normalizimin e marrëdhënieve" sërish me qeverinë e Tripolit me të cilin kishte ndërprerë marrëdhëniet diplomatike.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis në një vizitë që zhvilloi për rivendosjen e marrëdhënieve më 6 prill në Tripoli, mbrojti idenë e tij se memorandumi i mirëkuptimit që Libia dhe Turqia nënshkruan për të drejtat në Mesdheun Lindor "nuk ka asnjë fuqi ligjore sipas rezolutave të Këshillit Evropian" dhe pretendoi se këto dokumente duhet të anulohen.
Teksa kjo përpjekje e Mitsotakisit nuk gjeti përgjigje në qeverinë libiane, kryeministri i sapozgjedhur i Libisë, Abdul Hamid Dbeibah në vizitën e tij që zhvilloi më 10 prill në Turqi vuri theksin se memorandumi mes dy vendeve do të vazhdojë.
Gjithashtu edhe kreu i Këshillit Presidencial të Libisë, Mohammad Menfi i cili me ftesë të autoriteteve greke zhvilloi një vizitë në Athinë më 14 prill, gjatë bisedës që zhvilloi me Mitsotakisin ai deklaroi me një gjuhë të qartë se nuk është e mundur nënshkrimi i një marrëveshjeje me Greqinë.
"Në kuadër të Marrëveshjes së Gjenevës nuk është e mundur që Këshilli Presidencial të bëjë një marrëveshje ndërkombëtare dhe se kjo është nën kompetencën e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar", ka deklaruar Menfi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.