Gjykata e Moskës gjobit Telegramin dhe Google-n për shkelje të legjislacionit rus
Një gjykatë në Moskë i shpalli sot fajtorë Telegramin dhe korporatën amerikane Google për shkelje të legjislacionit rus dhe vendosi gjoba
Moskë
Një gjykatë në Moskë i shpalli sot fajtorë Telegramin dhe korporatën amerikane Google për shkelje të legjislacionit rus dhe vendosi gjoba, transmeton Anadolu.
Gjykata e qytetit Tagansky gjobiti Telegramin me 7 milionë rubla (91.300 dollarë) për refuzimin e heqjes së një numri reklamash që lidhen me shitjen në distancë të alkoolit dhe përmbajtjes LGBT.
Në një seancë tjetër dëgjimore, Google u gjobit me mbi 22 milionë rubla (287 mijë dollarë) për shpërndarjen e shërbimeve VPN dhe lejimin e aksesit në faqet e internetit të bllokuara në Rusi përmes Google Play.
Gjoba e re i shtohet gjobave të mëparshme të Google-s. Më 19 shkurt, Gjykata Supreme mbështeti një vendim që urdhëronte Google-n të paguante një shumë të jashtëzakonshme prej 91.5 kuintilionë rubla (rreth 1.2 kuintilion dollarë). Ekspertët llogaritën se kjo shifër ishte afërsisht 1 milion herë më e madhe se produkti i brendshëm bruto global.
Mosmarrëveshja ligjore filloi në vitin 2020 kur mediat ruse paditën Google për llogaritë e bllokuara në YouTube. Gjykatat ruse vendosën në favor të tyre, por Google nuk u pajtua, duke shkaktuar një gjobë progresive ditore që fillonte nga 100 mijë rubla dhe dyfishohej çdo javë.
Pas fillimit të konfliktit në Ukrainë, Google pezulloi shumicën e operacioneve në vend dhe dega e saj ruse deklaroi falimentin në tetor 2023.
Gjykata përfundimisht e kufizoi gjobën në 91.5 kuintilionë rubla (1.2 kuintilion dollarë) që nga data e falimentimit. Përpara këtij kufiri, dënimi teorik ishte rritur në 1.81 duodecilionë rubla, një numër me 39 zero.
