Gjermani, sindikata e punës bën thirrje për grevë të transportit publik në të gjithë vendin të hënën
Sindikata "Ver.di" njoftoi se rreth 100 mijë punonjës në afër 150 kompani komunale të transportit dhe operatorë autobusësh do t'i bashkohen grevës
Berlin
Një sindikatë e madhe e punës ka bërë thirrje që punonjësit e transportit publik komunal në të gjithë Gjermaninë të hyjnë në grevë të hënën, transmeton Anadolu.
Sindikata "Ver.di" njoftoi se rreth 100 mijë punonjës në afër 150 kompani komunale të transportit dhe operatorë autobusësh do t'i bashkohen grevës.
"Punonjësit e transportit publik janë nën një ngarkesë të madhe për shkak të orareve jashtëzakonisht të pafavorshme të punës, punës me turne dhe presionit të vazhdueshëm kohor", tha Christine Behle, nënkryetare e sindikatës.
"Ver.di" po negocion në të 16 shtetet gjermane, kryesisht me kompanitë komunale të transportit dhe operatorët e autobusëve, duke kërkuar përmirësime të ndjeshme të kushteve të punës. Këto përfshijnë turne më të shkurtra të punës, periudha më të gjata pushimi dhe pagesa më të larta për punën e natës dhe të fundjavës.
"Kemi nevojë urgjente për përmirësime për të reduktuar fluksin e lartë të stafit dhe për të tërhequr punonjës të kualifikuar në transportin publik", tha Behle.
Në Bavari, Brandenburg, Saarland dhe Turingi sindikata po negocion gjithashtu për rritje pagash.
Sipas sindikatës "Ver.di", punëdhënësit kanë refuzuar pothuajse çdo përmirësim të propozuar në bisedimet e deritanishme.
