Ekonomi, BALLKANI

FMN për Kosovën: Pas një viti me bllokadë politike, aktiviteti ekonomik është ngadalësuar

Në parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar thuhet se rritja ekonomike për vitin 2026 pritet të jetë 3.3 për qind.

Agim Sulaj  | 02.04.2026 - Përdıtësım : 02.04.2026
FMN për Kosovën: Pas një viti me bllokadë politike, aktiviteti ekonomik është ngadalësuar

Prishtinë

Bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka vlerësuar se ekonomia e Kosovës ka vazhduar të rritet por me ritëm më të ngadalshëm, derisa inflacioni është rritur sidomos në çmimet e ushqimit, transmeton Anadolu.

Në raportin vjetor të FMN-së për Kosovën, është theksuar se pas një viti me bllokadë politike, aktiviteti ekonomik është ngadalësuar dhe rritja reale e Bruto Produktit të Brendshëm (BPB) ra në 3.6 për qind në vitin 2025, nga 4.6 për qind sa ishte në vitin 2024.

Sipas FMN-së, kjo erdhi si pasojë e rënies së eksporteve dhe dobësimit të kërkesave nga sektori privat, por u kompensua pjesërisht nga rritja e shpenzimeve dhe investimeve publike. Inflacioni në Kosovë, siç thotë FMN-ja, vazhdoi të rritet dhe arriti në rreth 5.7 për qind në janar 2026, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimit.

Në parashikimet e FMN-së rritja ekonomike për vitin 2026 pritet të jetë 3.3 për qind, derisa inflacioni po ashtu pritet të rritet në 5.9 për qind dhe pastaj do të bjerë gradualisht në 2 për qind deri në vitin 2028. "Deficiti tregtar do të mbetet i lartë për shkak të importeve të mëdha. Një nga arsyet e rritjes së deficitit në 2026 pritet të jetë edhe ndalja e përkohshme e një termocentrali me qymyr për renovim", thuhet në publikimin e FMN-së.

FMN-ja ka përmendur edhe rreziqet për ekonominë e Kosovës, si konfliktet në Lindjen e Mesme, tensionet në tregtinë globale, rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe pasigurinë politike.

FMN-ja i ka rekomanduar Kosovës të mos rrisë shumë shpenzimet buxhetore në vitin 2026, të ruajë stabilitetin makroekonomik, të rrisë investimet publike, të rrisë të hyrat buxhetore, të përmirësojë menaxhimin e financave publike, të forcojë mbikëqyrjen e sektorit bankar, të monitorojë kreditë dhe tregun e patundshmërive, të bëjë reforma strukturore për të rritur konkurrueshmërinë, të ulë papunësinë dhe të rrisë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, të zvogëlojë ekonominë joformale dhe të përmirësojë sektorin e energjisë.

FMN-ja në fund ka vlerësuar se ekonomia e Kosovës ka perspektivë pozitive, por përballet me rreziqe nga situata politike dhe zhvillimet ndërkombëtare. Për këtë arsye, kërkohen reforma, kontroll i shpenzimeve dhe investime më të mençura në mënyrë që ekonomia të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe të afrohet me standardet e BE-së.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın