Fitimi vjetor neto i BMW-së bie me gati 37 për qind në mes të konkurrencës në rritje
Fitimi vjetor neto i kompanisë ka rënë në 7,68 miliardë euro, shifër në përputhje me parashikimin e Grupit të Bursave të Londrës (LSEG)

Istanbul
Fitimi neto vjetor i prodhuesit gjerman të makinave BMW Group ka rënë me 36,9 për qind në vitin 2024, mes “kërkesës në ulje të vazhdueshme në tregun kinez”, tregoi sot raporti financiar i kompanisë, transmeton Anadolu.
Fitimi vjetor neto i kompanisë ka rënë në 7,68 miliardë euro, shifër në përputhje me parashikimin e Grupit të Bursave të Londrës (LSEG).
Të ardhurat e BMW-së kanë arritur në 142,3 miliardë euro në vitin 2024, me 8,4 për qind më pak nga viti në vit nga 155.4 miliardë euro të vitit të kaluar.
Prodhuesi i automjeteve deklaroi se parashikon një marzh fitimi prej 5 për iqnd deri në 7 për qind për automobilat në vitin 2025, nga 6,3 për qind një vit më parë, por gjithashtu theksoi se vendosja e tarifave pritet të ketë një efekt të dëmshëm në fitimet në vitin e ardhshëm.
“Një mjedis sfidues konkurrues dhe zhvillimet makroekonomike, tregtare dhe gjeopolitike mund të kenë ndikim të rëndësishëm në performancën e biznesit”, thuhet në një deklaratë të kompanisë.
BMW ka shitur rreth 2,45 milionë njësi vitin e kaluar, që është pak më pak se 2,55 milionë të shitura në vitin 2023.
“Ajo që e ka veçuar gjithmonë BMW Group është aftësia jonë për të ruajtur kursin tonë, edhe në kushte sfiduese. Ne mbetemi qartësisht të fokusuar në dy gjëra – performancën tonë afatshkurtër dhe perspektivën tonë afatgjatë”, ka thënë shefi ekzekutiv i BMW Group, Oliver Zipse.