Turqia, Politikë, Ekonomi, Shkencë dhe Teknologji

Erdoğan: Energjia e parë elektrike nga centrali "Akkuyu" do të lëshohet kah fundi i vitit

"Deri në fund të këtij viti ne do të fillojmë prodhimin testues dhe do të shpërndajmë energjinë e parë elektrike nga Akkuyu", tha presidenti Erdoğan në Samitin e Burimeve Natyrore në Istanbul

Gizem Nisa Çebi  | 02.05.2025 - Përdıtësım : 03.05.2025
Erdoğan: Energjia e parë elektrike nga centrali "Akkuyu" do të lëshohet kah fundi i vitit

Istanbul

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan njoftoi të premten një hap të madh përpara në sektorin e energjisë të vendit, raporton Anadolu.

"Deri në fund të këtij viti, ne do të fillojmë prodhimin testues dhe do të shpërndajmë energjinë e parë elektrike nga Akkuyu", tha presidenti turk në Samitin e Burimeve Natyrore në Istanbul.

Ai tha se vendi i tij ndërmori iniciativa të shumta për të kontribuar në sigurinë energjetike rajonale dhe për të lehtësuar krizën energjetike me të cilën përballen vendet evropiane.

"Shfaqja e Türkiyes si një strehë e sigurt gjatë krizave energjetike të Evropës nuk është aspak rastësi", u shpreh ai.

Presidenti sinjalizoi fazat përfundimtare të projektit ambicioz, i cili filloi në vitin 2017. "Ndërtimi i reaktorit të parë të termocentralit bërthamor 'Akkuyu' është drejt përfundimit", tha Erdoğan.

Përveç përparimeve bërthamore të vendit, Erdoğan u ndal edhe në përpjekjet e Türkiyes për burimet jashtë vendit. "Türkiye synon të fillojë prodhimin e parë këtë vit në një fushë ari në Niger, gjë për të cilën e kemi marrë licencën", theksoi presidenti turk.

Duke nënvizuar më tej arritjet e vendit në fushën e energjisë, ai tha: "Me operacionet në Gabar (në Türkiyen juglindore), prodhimi ynë i përditshëm i naftës në të gjithë Türkiyen tejkaloi 135.000 fuçi deri në fund të marsit 2025, duke vendosur rekord".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.