Eksportet turke në Siri u rritën në 3 miliardë dollarë në vitin 2025 me një rritje prej 54 për qind
Zv/ministri turk i Tregtisë, Agar tha se eksportet në Siri shënuan rritje mbi 54 për qind në baza vjetore teksa vendi po stabilizohet politikisht pas rrëzimit të Assadit
Antalya
Zv/ministri turk i Tregtisë, Ozgur Volkan Agar ka bërë të ditur se eksportet e Turqisë në Siri u rritën me 54.1 për qind në baza vjetore, duke arritur në mbi 3 miliardë dollarë në vitin 2025, të nxitura nga përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe zhvillimet politike në Siri pas rrëzimit të regjimit të Assadit.
Duke folur për Anadolu, Agar tha se eksportet turke në Siri arritën në 1.95 miliardë dollarë vitin e kaluar dhe theksoi rritjen e ndjeshme të dërgesave në vendin fqinj. Ai tha se eksportet totale të mallrave të Turqisë arritën në 270.6 miliardë dollarë në periudhën janar-nëntor, duke shtuar se shifrat përfundimtare për këtë vit do të shpallen në një ceremoni vlerësimi të eksportit në janar të vitit 2026.
Në ceremoni, tha ai, do të marrë pjesë edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili pritet të përcaktojë objektivat e eksportit për vitin e ardhshëm. Agar tha se Turqia shënoi suficit tregtar të jashtëm prej 122.5 miliardë dollarësh në shërbime në bazë vjetore në periudhën janar-nëntor. Eksportet totale të mallrave dhe shërbimeve arritën në 393.1 miliardë dollarë në nëntor.
"Shpresojmë ta përfundojmë me sukses vitin 2026, duke i tejkaluar këto shifra me një diferencë të madhe", tha ai. Zv/ministri turk tha se vendi i tij vazhdoi të luajë rol kyç në eksportet drejt vendeve fqinje, duke theksuar se tregtia me Sirinë është zgjeruar që kur regjimi i Assadit u rrëzua në dhjetor të vitit të kaluar.
"Ne shënuam rritje prej mbi 54 për qind krahasuar me vitet e kaluara, kështu që mund të themi se, teksa Siria zhvillohet më tej dhe forcon stabilitetin e saj politik, marrëdhëniet midis dy vendeve do të zhvillohen më tej dhe do të arrijmë shifra shumë më të mira tregtare", tha Agar.
