"Ekonomia në Shqipëri po ecën me ritme pozitive"
Në një konferencë për mediat mbi situatën ekonomike në vend, ministrja Ibrahimaj foli për rritjen ekonomike, punësimin, sektorët kryesorë që kanë kontribuar në rritjen ekonomike, eksportet dhe çështje të tjera
Tiranë
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se ekonomia po ecën me ritme pozitive, duke konfirmuar sipas saj parashikimet dhe efektet e masave që Qeveria e Shqipërisë ka marrë për të stimuluar rritjen ekonomike, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për mediat mbi situatën ekonomike në vend, ajo foli për rritjen ekonomike, punësimin, sektorët kryesorë që kanë kontribuar në rritjen ekonomike, eksportet dhe çështje të tjera.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se punësimi ka pasur një trajektore rritëse, që sipas saj ka ndjekur zhvillimet e treguesve kryesore ekonomikë.
"Një arsye tjetër e rëndësishme për rritjen e të ardhurave është rritja e fortë ekonomike (për vitin 2021) në raport me vitin 2020, ku për nëntëmujorin e parë të vitit, nga mesatarja e tre tremujorëve kemi një rritje me 10,33 për qind në raport me një vit më parë. Sektorët kryesore që kanë kontribuar në rritjen ekonomike janë industria dhe tregtia. Duket qartë se investimet tek tregtia janë motorët të cilët kanë krijuar kushtet që ekonomia shqiptare të dalë nga kriza", u shpreh Ibrahimaj.
Ajo shtoi se përgjatë nëntëmujorit, bazuar në të dhënat e Eurostat, Shqipëria ka qenë një ndër vendet që ka pasur rritjen më të lartë në rajon, "duke iu bashkuar Kosovës dhe Malit të Zi". Sipas saj, Shqipëria ka patur një rikthim ekonomik më të fortë krahasuar me të gjithë vendet e rajonit".
Ibrahimaj theksoi se eksportet në Shqipëri janë rritur gjatë gjithë vitit 2021 me 35,6 për qind në krahasim me vitin 2020. "Kjo ecuri pozitive e eksporteve është materializuar si në rritjen e eksporteve në vlerë ashtu edhe në rritjen eksporteve në vëllim", u shpreh Ibrahimaj.
Sipas saj, pavarësisht vështirësive gjatë dy viteve të fundit, numri i bizneseve aktive në vend ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Në fund Ibrahimaj tha se zgjerimi i aktiviteti ekonomik është shoqëruar me përmirësim të mëtejshëm të treguesve të tregut të punës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
