Ekonomi

Ekonomia e Eurozonës shënon rritje prej 1,6 për qind në tremujorin e tretë

Eurostat raportoi se ekonomia e Maltës shënoi normën më të lartë të rritjes në periudhën korrik-shtator të këtij viti, duke u rritur me 7,9 për qind

Gökhan Ergöçün  | 07.12.2018 - Përdıtësım : 07.12.2018
Ekonomia e Eurozonës shënon rritje prej 1,6 për qind në tremujorin e tretë

Stamboll

STAMBOLL (AA) - Zyra e Statistikave të Bashkimit Evropian (Eurostat) ka njoftuar shifrat e rritjes ekonomike të bllokut 28-anëtarësh për tremujorin e tretë të këtij viti, sipas të cilave Prodhimi i Brendshëm Bruto në Eurozonë (EA19) shënoi rritje prej 1,6 për qind në krahasim me vitin e kaluar, ndërkohë BE28 shënoi rritje prej 1,8 për qind në të njëjtën periudhë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Eurostat vuri në dukje se normat vjetore të rritjes ekonomike në EA19 dhe BE28 ishin 2,2 për qind dhe 2,1 për qind, respektivisht në tremujorin e mëparshëm të këtij viti.

Eurozona ose EA19 përfaqëson shtetet anëtare që përdorin monedhën e përbashkët, euro, ndërsa BE28 përcakton të gjitha vendet anëtare të bllokut.

Eurostat raportoi se ekonomia e Maltës shënoi normën më të lartë të rritjes në periudhën korrik-shtator të këtij viti, duke u rritur me 7,9 për qind. Malta u ndoq nga Polonia dhe Hungaria me 5,7 për qind dhe 5,3 për qind rritje.

Në të njëjtën periudhë, Italia shënoi rritjen më të ulët me 0,7 për qind rritje vjetore, ndërsa Gjermania dhe Franca shënuan rritje ekonomike prej 1,2 për qind dhe 1,4 për qind.

Të dhënat tremujore

Të dhënat zyrtare po ashtu tregojnë se PBB i balancuar sezonalisht u rrit me 0,2 për qind në EA19 dhe 0,3 për qind në BE28, gjatë tremujorit të tretë të këtij viti krahasuar me periudhën prill-qershor.

“Midis shteteve anëtare për të cilat disponohen të dhëna për tremujorin e tretë të vitit 2018, Malta (3,6 për qind) shënoi rritjen më të lartë krahasuar me tremujorin e mëparshëm, pasuar nga Rumania (1,9 për qind), Letonia dhe Polonia (të dyja nga 1,7 për qind)”, tha Eurostat.

Eurostat theksoi se normat negative të rritjes u panë në Lituani (0,3 për qind), Gjermani dhe Suedi (me nga 0,2 për qind) dhe në Itali (0,1 për qind).

Duke treguar komponentët e PBB-së, Eurostat tha se në baza tremujore shpenzimet e konsumit final të ekonomive familjare u rritën me 0,1 për qind në Eurozonë dhe 0,3 për qind në BE28.

“Eksportet shënuan rënie prej 0,1 për qind në Eurozonë dhe shënuan rritje prej 0,3 për qind në BE28. Importet shënuan rritje prej 0,5 për qind në Eurozonë dhe 0,3 për qind në BE28”, shtoi Eurostat.

Ndërkohë, Eurostat po ashtu njoftoi se numri i personave të punësuar është rritur me 1,3 për qind në EA19 dhe 1,2 për qind në BE28, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın