Dëmi i shkaktuar nga Izraeli në sektorët jetikë të Gazës kalon 33 miliardë dollarë në vitin 2025
Ushtria izraelite ka përdorur mbi 112 mijë tonë eksploziv në Rripin e Gazës gjatë vitit 2025, tha Zyra e Medias e Qeverisë së Gazës, e cila publikoi statistikat vjetore gjithëpërfshirëse për vitin 2025 në lidhje me situatën në Gaza
Gaza
Qeveria në Gaza ka deklaruar se pasojat e “gjenocidit” që Izraeli po zbaton kundër palestinezëve vazhdojnë dhe se humbjet e drejtpërdrejta në 15 sektorë jetikë kanë tejkaluar vlerën 33 miliardë dollarë në vitin 2025, transmeton Anadolu.
Zyra e Medias e qeverisë në Gaza publikoi statistikat vjetore gjithëpërfshirëse për vitin 2025 në lidhje me situatën në Gaza.
Në deklaratën e qeverisë u theksua se efektet e “gjenocidit” që Izraeli ka zbatuar duke kryer sulme të rënda për dy vjet me radhë ndaj Gazës po vazhdojnë, duke shtuar se “humbjet fillestare të drejtpërdrejta në 15 sektorë jetikë në vitin 2025 vlerësohet të jenë mbi 33 miliardë dollarë”.
U bë e ditur se sektorët e bujqësisë, blegtorisë dhe peshkimit janë dëmtuar plotësisht, së bashku me rreth 17 mijë hektarë tokë bujqësore, që përfaqësojnë mbi 80 për qind të sipërfaqes së punueshme.
Në deklaratë u theksua se sipërfaqja e mbjellë me perime në Gaza ka rënë nga rreth 9.300 hektarë në rreth 400 hektarë dhe se gjatë sulmeve izraelite janë shkatërruar 1.000 puse uji të përdorura për bujqësi dhe 500 ferma me bagëti të imta, të trasha dhe shpendë.
Sa u përket dëmeve në infrastrukturë dhe shërbime publike, u raportua se mbi 700 puse uji, 3.080 kilometra linja elektrike dhe 400 kilometra rrjet ujësjellësi e kanalizimi janë dëmtuar nga sulmet izraelite.
– Izraeli përdori mbi 112 mijë tonë eksploziv në Gaza në vitin 2025
Siç bëhet e ditur, gjatësia e rrugëve të dëmtuara në Gaza ka arritur në 2.000 kilometra, ndërkohë që 150 ndërtesa qeveritare dhe 250 objekte sportive e kulturore janë rrafshuar si dhe janë shënjestruar zona arkeologjike e historike.
Në deklaratë thuhet se ushtria izraelite ka përdorur mbi 112 mijë tonë eksploziv në Rripin e Gazës gjatë vitit 2025, ka shkatërruar 90 për qind të infrastrukturës së enklavës dhe ka marrë nën kontroll me forcë 55 për qind të territorit.
– Izraeli nxori jashtë funksioni 22 spitale në Gaza në vitin 2025
Në lidhje me dëmet në sektorin shëndetësor, u bë e ditur se Izraeli në vitin 2025 i ka nxjerrë jashtë funksioni 22 spitale në Gaza dhe ka shënjestruar 211 autoambulanca dhe 23 automjete të mbrojtjes civile.
U raportua po ashtu se Izraeli ka dëmtuar 95 për qind të shkollave në Gaza, ka shkatërruar plotësisht 30 institucione arsimore dhe ka dëmtuar pjesërisht 39 të tjera, si dhe ka vrarë mbi 1.000 nxënës, 88 mësues dhe 45 akademikë.
Izraeli ka shkatërruar plotësisht 34 xhami në Rripin e Gazës dhe ka dëmtuar pjesërisht 100 të tjera ndërsa ka shënjestruar disa herë edhe tri kisha.
U theksua se 21 nga 60 varrezat në Gaza janë rrafshuar nga sulmet izraelite.
– Izraeli shkatërroi plotësisht 106.400 banesa në Gaza në vitin 2025
U raportua se Izraeli ka shkatërruar plotësisht 106.400 banesa në Gaza gjatë vitit 2025, ka dëmtuar 66 mijë banesa duke i bërë të pabanueshme dhe ka dëmtuar pjesërisht 41 mijë të tjera.
Në Gaza, ku numri i të zhvendosurve arrin rreth 2 milionë, 213 mijë palestinezë janë zhvendosur për shkak të shkatërrimit të shtëpive të tyre nga Izraeli, thuhet më tej.
Gjithashtu theksohet se ushtria izraelite ka shënjestruar 87 qendra strehimi ku qëndronin palestinezë të zhvendosur brenda Gazës.
