Britani, autorët publikojnë libër "bosh" në shenjë proteste kundër të drejtave të autorit të inteligjencës artificiale
Rreth 10 mijë autorë publikuan një libër "bosh" sot në Britani për të protestuar ndaj kompanive të inteligjencës artificiale (IA) që përdorin punën e tyre pa leje
Stamboll
Rreth 10 mijë autorë publikuan një libër "bosh" sot në Britani për të protestuar ndaj kompanive të inteligjencës artificiale (IA) që përdorin punën e tyre pa leje, transmeton Anadolu.
Sipas një raportimi nga "The Guardian", libri i titulluar "Mos e vidhni këtë libër" (Don’t Steal This Book), përmban vetëm një listë me emrat e shkrimtarëve dhe kopjet po shpërndahen në një panair libri në Londër.
Në kopertinën e tij të pasme thuhet: "Qeveria e Britanisë nuk duhet të legalizojë vjedhjen e librave për të përfituar kompanitë e inteligjencës artificiale".
Publikimi i librit vjen një javë para se qeveria e Britanisë të publikojë një vlerësim ekonomik të ndryshimeve të propozuara në ligjin e të drejtës së autorit.
Organizatori i librit, Ed Newton-Rex tha se industria e inteligjencës artificiale është "ndërtuar mbi punën e vjedhur... të marrë pa leje ose pagesë".
"Ky nuk është një krim pa viktima, inteligjenca artificiale gjeneruese konkurron me njerëzit, për punën e të cilëve është trajnuar, duke i grabitur ata nga mjetet e tyre të jetesës. Qeveria duhet të mbrojë krijuesit e Mbretërisë së Bashkuar dhe të refuzojë të legalizojë vjedhjen e punës krijuese nga kompanitë e inteligjencës artificiale", tha ai.
Artistët britanikë janë veçanërisht të indinjuar nga një propozim kryesor i qeverisë në konsultime, i cili u lejon kompanive të inteligjencës artificiale të përdorin vepra të mbrojtura nga të drejtat e autorit pa lejen e pronarit.
