Ekonomi

"Bisedimet për marrëveshje të tregtisë së lirë Turqi-Kanada duhet të fillojnë së shpejti"

Zv/ministrja turke e Tregtisë, Gonca Yılmaz Batur tha se politikat proteksioniste dëmtojnë sistemin tregtar multilateral, andaj iniciativat e bashkëpunimit dypalësh janë bërë më të rëndësishme

Gökhan Ergöçün  | 14.11.2019 - Përdıtësım : 15.11.2019
"Bisedimet për marrëveshje të tregtisë së lirë Turqi-Kanada duhet të fillojnë së shpejti"

Stamboll

Bisedimet për një marrëveshje të tregtisë së lirë mes Turqisë dhe Kanadasë duhet të fillojnë sa më shpejtë që është e mundur, tha zv/ministrja e Tregtisë së Turqisë, Gonca Yılmaz Batur, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë takimit të 16-të të Këshillit të Biznesit Turqi-Kanada, të organizuar nga Bordi i Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike (DEIK) në Stamboll, Batur tha se marrëveshja e tregtisë së lirë do të kontribuonte në marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike mes dy vendeve dhe do të mundësonte bazë të fuqishme për rritjen e eksportit dhe investimeve.

Duke i ftuar biznesmenët kanadezë që të shfrytëzojnë mundësitë në Turqi, ajo tha se, "Shkëmbimi ynë tregtar arriti në 3,2 miliardë dollarë në vitin 2018, marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes Turqisë dhe Kanadasë kanë potencial të madh, këto numra nuk janë të mjaftueshëm për marrëdhëniet tona".

Ajo rikujtoi se Turqia mbështet tregti të lirë, të balancuar dhe të drejtë dhe se është e vendosur që të krijojë një mjedis më të fuqishëm, më konkurrues, më të parashikueshëm dhe më të përshtatshëm për bizneset.

Batur gjithashtu tha se Turqia është një treg i hapur me taksë të ulët dhe është pjesë e Unionit Doganor me Bashkimin Evropian (BE).

"Turqia gjithashtu ka 20 marrëveshje të tregtisë së lirë të nënshkruara me lojtarët kyç në tregtinë globale siç janë Koreja e Jugut dhe Singapori", shtoi Batur.

Ajo tha se Turqia është bërë një qendër rajonale e investimeve të drejtpërdrejta me strukturën e saj të fuqishme, popullsi të re të arsimuar dhe nxitës të sigurt të investimeve, duke shtuar se për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe Turqia dhe Kanadaja do të vazhdojnë të punojnë së bashku.

"Ngritja e politikave proteksioniste dëmton sistemin tregtar multilateral dhe linjat e furnizimit në botë. Kështu, iniciativat e bashkëpunimit dypalësh janë bërë më të rëndësishme", tha Batur.

Brahim Achtoutal, konsulli i përgjithshëm i Kanadasë në Stamboll, tha se tubimi i përfaqësuesve të sektorit ekonomik, tregtar dhe afarist në Stamboll i bashkon dy vendet edhe më shumë.

Ai shtoi se takimi është shumë efektiv në zbulimin e mundësive të investimit dhe biznesit për të dy vendet.

Gjatë ditës, u mbajt edhe mbledhja e Komitetit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar (JETCO) mes Turqisë dhe Kanadasë nën përkujdesjen e zv/ministres Batur dhe homologut të saj, Jonathan Fried.

Batur gjithashtu i dorëzoi homologut të saj një listë me produkte potenciale që mund të eksportohen.

Takimi i vitit të ardhshëm i JETCO-s do të mbahet në Kanada.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.