BE-ja punon vazhdimisht mbi mënyrat e reja për të rritur presionin ndaj Rusisë
Zëdhënësja e KE-së, Anita Hipper dënoi sulmet masive të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke thënë se presidenti rus Vladimir Putin "vazhdon të terrorizojë ukrainasit"
Bruksel
Komisioni Evropian tha se "po punon vazhdimisht për mjete dhe mënyra të reja" për të rritur presionin ndaj Rusisë, ndërsa lufta midis dy fqinjëve ende vazhdon, transmeton Anadolu.
Zëdhënësja e KE-së, Anita Hipper dënoi sulmet masive të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke thënë se presidenti rus Vladimir Putin "vazhdon të terrorizojë ukrainasit".
Ajo tha se sulmet e fundit kishin në shënjestër "infrastrukturën kritike të energjisë, përfshirë nënstacionet që furnizojnë termocentralet bërthamore", duke ndërprerë shërbimet e energjisë elektrike, ujit dhe ngrohjes dhe duke "rrezikuar sigurinë bërthamore".
Hipper nënvizoi se përtej mbështetjes së vazhdueshme politike, ushtarake dhe financiare për Kievin, BE-ja po punon për ndihmën energjetike dhe shtrirjen e kontakteve me vendet partnere për të mobilizuar mbështetje të mëtejshme për Ukrainën.
"Ne po punojmë vazhdimisht mbi mjetet dhe mënyrat e reja për të rritur presionin ndaj Putinit për t'u siguruar që ai të vijë në tryezën e negociatave", tha ajo duke shtuar se puna për sanksione të mëtejshme mbetet konfidenciale, përfshirë kohën e tyre.
Zëdhënësja kryesore e KE-së, Paula Pinho tha se KE-ja nuk u referohet përpjekjeve të saj si "paketa të dedikuara", por vlerëson masat që mund të përforcojnë pozicionet si të BE-së ashtu edhe të Ukrainës.
BE-ja miratoi paketën e saj të 19-të të sanksioneve kundër Rusisë më 23 tetor. Masat synonin bankat ruse, bursat e kriptomonedhave dhe subjektet në Indi dhe Kinë.
Rusia ka shënjestruar infrastrukturën e Ukrainës në muajt e fundit ndërsa Ukraina ka shtuar sulmet ndaj depove dhe rafinerive ruse të naftës, pavarësisht përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA-ja për të ndaluar luftën gati katërvjeçare.
