BE-ja premton mbrojtje për Belgjikën mbi rreziqet që lidhen me asetet e ngrira ruse
Rreth 140 miliardë euro (162 miliardë dollarë) në asete shtetërore ruse janë aktualisht të bllokuara në "Euroclear", kompaninë e shërbimeve financiare me seli në Bruksel
Bruksel
Komisioni Evropian e ka siguruar Belgjikën se nuk do të përballet e vetme me pasojat financiare ose ligjore nëse asetet e ngrira ruse të mbajtura në Bruksel sekuestrohen dhe përdoren për të mbështetur Ukrainën, sipas një letre të rrjedhur të siguruar nga media të shumta, transmeton Anadolu.
Rreth 140 miliardë euro (162 miliardë dollarë) në asete shtetërore ruse janë aktualisht të bllokuara në "Euroclear", kompaninë e shërbimeve financiare me seli në Bruksel. Komisioni propozon përdorimin e këtyre fondeve për të ofruar ndihmë ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën në vitin 2026 dhe 2027.
Belgjika, e shqetësuar për sfidat e mundshme ligjore dhe masat hakmarrëse nga Rusia, ka kërkuar siguri të forta si nga komisioni ashtu edhe nga vendet anëtare të BE-së se rreziqet e lidhura do të ndahen në të gjithë bllokun, sipas agjencisë së lajmeve "Belga".
Në një letër dërguar vendeve anëtare të BE-së të hënën, komisioni detajoi se si planifikon të sigurojë që Belgjika të mos lihet të mbajë barrën. Dokumenti përshkruan se vendet anëtare do të angazhohen për t'i ofruar BE-së garanci "ligjërisht të detyrueshme, të pakushtëzuara dhe të pakthyeshme", të llogaritura në bazë të pasurisë së tyre kombëtare.
Këto garanci do të mbulojnë rreziqet që rrjedhin nga arbitrazhi i mundshëm ose vendimet gjyqësore që lidhen me ngrirjen e aseteve ruse, përfshirë mosmarrëveshjet sipas traktateve dypalëshe të investimeve. Mbrojtjet do të mbeten të vlefshme edhe pasi të hiqen sanksionet e BE-së mbi asetet ruse.
Sipas propozimit, BE-ja mund të mbledhë deri në 140 miliardë euro kredi për Ukrainën, të cilat do të paguhen vetëm pasi Kievi të marrë dëmshpërblime nga Rusia për dëmet e lidhura me luftën. Plani mund të zgjerohet për të përfshirë bilancet e parave të gatshme të aseteve sovrane ruse të mbajtura në institucione të tjera financiare të BE-së. Kjo mund të rrisë mbulimin total nga 185 miliardë euro në 210 miliardë euro, thuhet në letër.
Detajet e propozimit të komisionit dolën pasi kryeministri belg, Bart De Wever u takua me presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen në Bruksel javën e kaluar për të diskutuar shqetësimet e Belgjikës lidhur me planin e aseteve.
