BE-ja miraton kundërmasa tregtare ndaj tarifave të reja të SHBA-së
Komisioni Evropian tha se kundërmasat mund të pezullohen në çdo moment nëse SHBA-ja bie dakord për një zgjidhje të drejtë dhe të balancuar nëpërmjet negociatave
Istanbul
Në zhvillimin më të fundit në luftën tregtare, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) votuan sot në favor të kundërmasave tregtare të propozuara nga Komisioni Evropian ndaj tarifave të reja të SHBA-së që pritet të hyjnë në fuqi javën e ardhshme, raporton Anadolu.
Komisioni njoftoi në një deklaratë për media se kundërmasat do të hyjnë në fuqi duke filluar nga e marta e ardhshme.
Këto masa pritet të ndikojnë në shumë importe, përfshirë motoçikletat, produktet bujqësore dhe veshjet, me një vlerë prej 21 miliardë eurosh. Propozimi i Komisionit ishte përgjigje ndaj tarifave amerikane për importet e çelikut dhe aluminit nga BE-ja.
BE-ja i konsideron këto tarifa të pajustifikuara dhe të dëmshme, duke shkaktuar pasoja ekonomike për të dyja palët, si dhe për ekonominë botërore, tha Komisioni. "BE-ja ka shprehur qartë preferencën e saj për të gjetur zgjidhje të negociuara me SHBA-në, të cilat do të jenë të balancuara dhe me përfitime të ndërsjella", shtohet më tej.
Në deklaratë thuhet se kundërmasat mund të pezullohen në çdo moment nëse SHBA-ja bie dakord për një zgjidhje të drejtë dhe të balancuar nëpërmjet negociatave.
