Bota, Ekonomi

BE-ja gjobit 5 banka zvicerane dhe britanike për pjesëmarrje në tregtim të fshehtë valutor

Komisioni Evropian gjobit bankat Barclays, HSBC, RBS, UBS, Credit Suisse për "veprimtari të fshehtë"

Gökhan Ergöçün  | 03.12.2021 - Përdıtësım : 04.12.2021
BE-ja gjobit 5 banka zvicerane dhe britanike për pjesëmarrje në tregtim të fshehtë valutor

Stamboll

Komisioni Evropian njoftoi të enjten se ka gjobitur pesë banka për pjesëmarrje në një kartel të tregtimit valutor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas një hetimi, komisioni gjobiti me një total prej 344 milionë eurosh bankat zvicerane UBS dhe Credit Suisse, si dhe huadhënësit në Britani të Madhe RBS, HSBC dhe Barclays, thuhet në një deklaratë.

Hetimi zbuloi se disa tregtarë që vepronin në emër të këtyre bankave dhe ishin të ngarkuar me tregtimin e valutave devizore të G10 (Grupi 10, i referohet grupit të vendeve që marrin pjesë në Marrëveshjet e Përgjithshme për Huamarrje), monedhave më likuide dhe të tregtuara në nivel global, "këmbyen informacione të ndjeshme dhe plane tregtare dhe herë pas here koordinuan strategjitë e tyre tregtare nëpërmjet bisedave online të quajtur 'Sterling Lads'”, thuhet në deklaratë.

"Këto shkëmbime informacionesh u mundësonin tregtarëve të merrnin vendime të mirëinformuara në treg nëse dhe kur do të shisnin ose blinin monedhat që kishin në portofolet e tyre, në krahasim me një situatë ku tregtarët që veprojnë në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri marrin një rrezik të natyrshëm në marrjen e këtyre vendimeve", thuhet më tej.

Duke vënë në dukje se aktivitetet e tregtimit valutor janë "një nga tregjet më të mëdha financiare në botë", komisionerja Margrethe Vestager tha: "Veprimtaria e fshehtë e pesë bankave minoi integritetin e sektorit financiar në kurriz të ekonomisë dhe konsumatorëve evropianë".

Ndërsa UBS mori imunitet të plotë për zbulimin e ekzistencës së karteleve, Barclays, RBS dhe HSBC përfituan ulje të gjobave të tyre falë bashkëpunimit të tyre me hetimin, ndërkaq, Credit Suisse nuk bashkëpunoi dhe nuk mori asnjë ulje.

Kështu, RBS do të paguajë 32,47 milionë euro, Credit Suisse 83,29 milionë euro, Barclays 54,35 milionë euro dhe HSBC 174,28 milionë euro.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.