Ekonomi

Banka Qendrore Evropiane: Lufta me Iranin mund ta shtyjë tronditjen energjetike në vitin 2027

Zv/presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Luis de Guindos paralajmëroi se konflikti në rritje që përfshin Iranin mund të shkaktojë një tronditje të zgjatur të çmimeve të energjisë

Alyssa Mcmurtry  | 23.03.2026 - Përdıtësım : 23.03.2026
Banka Qendrore Evropiane: Lufta me Iranin mund ta shtyjë tronditjen energjetike në vitin 2027

Oviedo

Zëvendëspresidenti i Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Luis de Guindos paralajmëroi se konflikti në rritje që përfshin Iranin mund të shkaktojë një tronditje të zgjatur të çmimeve të energjisë, duke rënduar rritjen dhe duke nxitur inflacionin në të gjithë eurozonën, transmeton Anadolu.

Në një intervistë të botuar sot nga e përditshmja spanjolle "El Mundo", de Guindos tha se ashpërsia e ndikimit ekonomik do të varet nga sa zgjat konflikti dhe sa larg përhapet.

"Ndikimi do të jetë intensiv si për rritjen ashtu edhe për inflacionin", tha ai duke e përshkruar Lindjen e Mesme si një burim të pasigurisë së madhe.

Sipas skenarit bazë të BQE-së, çmimet e energjisë do të arrijnë kulmin në tremujorin e dytë të vitit 2026 përpara se të bien shpejt. Megjithatë, banka po shqyrton gjithashtu skenarë më të pafavorshëm që mund të mbajnë çmimet e naftës dhe gazit të larta deri në fund të vitit 2026 ose më tej.

"Në skenarin më të keq, situata do të jetë më e thellë dhe do të fillojë të normalizohet ngadalë vetëm në fillim të vitit të ardhshëm", tha ai.

Pavarësisht rreziqeve, de Guindos tha se BQE aktualisht nuk parashikon një recesion në eurozonë, madje as në skenarë më të pafavorshëm, megjithëse ai paralajmëroi se parashikimet mbeten të pasigurta. Ai tha se banka qendrore do të presë të dhënat përpara se të vendosë nëse do të rrisë normat e interesit.

- Autonomia në sistemin e pagesave të BE-së

Përtej krizës së menjëhershme, ai i kërkoi Evropës të zvogëlojë varësinë e saj nga fuqitë e jashtme, veçanërisht SHBA-së, përfshirë infrastrukturën financiare. Ai vuri në dukje rëndësinë e përshpejtimit të implementimit të një euro dixhitale, duke argumentuar se kjo do të forconte autonominë strategjike të Evropës në pagesa, të cilat aktualisht dominohen nga kompanitë amerikane.

"Euro dixhitale do të ishte një lloj monedhe dixhitale për të gjithë Evropën e përfshirë në telefonat tanë celularë", tha ai duke shtuar se nuk do të përjashtonte paratë e gatshme ose opsione të tjera pagese.

- Imigracioni nxit rritjen spanjolle

Duke iu drejtuar Spanjës, ku ai ishte ministër i Ekonomisë në qeverinë konservatore të Mariano Rajoy, ai tha se ekonomia ka treguar rritje të fortë në vitet e fundit, e nxitur kryesisht nga imigracioni, të cilin ai e përshkroi si "thelbësor".

Sipas vlerësimeve të BQE-së, rritja e popullsisë e lidhur me imigracionin përbën më shumë se gjysmën e zgjerimit të fundit të PBB-së së Spanjës, e cila ka qenë dy herë më e shpejtë se mesatarja e BE-së.

Megjithatë, ai paralajmëroi se rritja e shpejtë e popullsisë po rrit presionin mbi strehimin dhe shërbimet publike. Ai tha se sistemi financiar i Spanjës është më i shëndetshëm se gjatë krizave të kaluara.

Mandati tetëvjeçar i De Guindos si nënkryetar i BQE-së përfundon në maj. Ai do të zëvendësohet nga ekonomisti kroat Boris Vujçiq.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.