Ekonomi

Banka e Shqipërisë: Zhvillimet ekonomike në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 ishin pozitive

Në raportin e stabilitetit financiar, thuhet se zhvillimet ekonomike gjatë periudhës në fjalë ishin pozitive, ndikuar nga ecuria e mirë e konsumit dhe investimeve dhe performanca e qëndrueshme pozitive e sektorit të turizmit

Fatjon Cuka  | 24.09.2025 - Përdıtësım : 28.09.2025
Banka e Shqipërisë: Zhvillimet ekonomike në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 ishin pozitive

Tiranë

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, veprimtaria e sistemit financiar në Shqipëri u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme, sipas një raporti të publikuar sot nga Banka e Shqipërisë, transmeton Anadolu.

Në raportin e stabilitetit financiar, thuhet se zhvillimet ekonomike gjatë periudhës në fjalë ishin pozitive, ndikuar nga ecuria e mirë e konsumit dhe investimeve dhe performanca e qëndrueshme pozitive e sektorit të turizmit.

"Rritja ekonomike u shoqërua me ulje të papunësisë dhe rritje të punësimit e të pagave. Politika fiskale ruajti një prirje konsoliduese gjatë periudhës dhe mbledhja e të ardhurave ishte më e mirë se objektivi i planifikuar. Presionet inflacioniste kanë mbetur nën objektivin e Bankës së Shqipërisë. Rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishme dhe lidhen kryesisht me pasigurinë dhe ndikimin që përcjellin zhvillimet ndërkombëtare", thuhet në raport.

Sipas raportit, në tërësi ekonomia shqiptare dhe sistemi financiar në vend kanë treguar një qëndrueshmëri të mirë ndaj rreziqeve, por "sfidat mbeten të rëndësishme".

"Treguesit kanë reflektuar zhvillimet makroekonomike që mbeten të favorshme, të karakterizuar nga rritja pozitive ekonomike, rritja e të ardhurave, norma e ulët e inflacionit, gjendja financiare e qëndrueshme e bizneseve dhe familjeve, si edhe treguesit e mirë fiskalë. Megjithatë, bizneset vazhdojnë të ndjejnë mungesën e personelit të kualifikuar, pavarësisht veprimeve aktive për kontraktimin e fuqisë punëtore nga vende të tjera", theksohet në raport.

Gjithashtu theksohet se ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut është i pranishëm, por mbetet në nivele të moderuara.

Raporti paraqet një vlerësim të përgjithshëm të rreziqeve që mund të kërcënojnë stabilitetin e sistemit financiar të Shqipërisë dhe infrastrukturën e tij si dhe vlerëson aftësinë e sistemit financiar për t'i përthithur këto rreziqe.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın