Afro 2.400 fluturime të anuluara në Aeroportin e Brukselit këtë vit për shkak të grevave
Gjatë vitit, operacionet në Aeroportin e Brukselit u ndërprenë shtatë herë për shkak të grevave të thirrura nga sindikatat
Bruksel
Gati 2.400 fluturime janë anuluar në Aeroportin e Brukselit këtë vit për shkak të grevave, raportuan mediat belge, transmeton Anadolu.
Gjatë vitit, operacionet në Aeroportin e Brukselit u ndërprenë shtatë herë për shkak të grevave të thirrura nga sindikatat, duke rezultuar në anulimin e 2.395 fluturimeve dhe duke prekur më shumë se 330 mijë pasagjerë.
Anulimet vlerësohet t'i kenë kushtuar ekonomisë belge afërsisht 175 milionë euro. Shkurtimet e planifikuara të qeverisë belge në shpenzimet sociale dhe politikat shtrënguese janë kritikuar ashpër nga sindikatat.
Për këtë arsye, Belgjika këtë vit është përballur me greva të shpeshta, duke e paralizuar në disa raste jetën në vend.
