Zyrtarja evropiane: BE-ja mbetet e cenueshme për shkak të varësisë nga sistemet amerikane të pagesave
Kryetarja e komitetit për çështjet ekonomike dhe monetare të Parlamentit Evropian, Aurore Lalucq, kërkoi veprime urgjente, duke thënë se presidenti amerikan mund t'i "ndërpresë ato (sistemet) brenda natës"
Gjenevë
Varësia e Europës nga sistemet e pagesave të kontrolluara nga SHBA-ja e lë bllokun të ekspozuar ndaj presionit politik dhe përçarjeve ekonomike, paralajmëroi të mërkurën kryetarja e komitetit për çështjet ekonomike dhe monetare të Parlamentit Evropian, transmeton Anadolu.
“Duhet ta pranoj se jam e shqetësuar kur dëgjoj fjalimin e presidentes”, tha Aurore Lalucq, duke iu referuar deklaratave të presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Lalucq tha se po injorohen dobësitë kyç, duke theksuar se teknologjia digjitale dhe sistemet e pagesave mungojnë në diskutim.
“Por pikërisht aty qëndron dobësia jonë sot”. shtoi ajo. “Gati të gjitha sistemet tona të pagesave sot janë amerikane”, tha Lalucq.
Ajo paralajmëroi se presidenti amerikan Donald Trump mund t’ia ndërpresë këto sisteme Evropës brenda natës.
“Donald Trump mund t’i ndërpresë ato gjatë natës. Ai e ka bërë tashmë më parë”, tha Lalucq, duke iu referuar presionit që më parë është ushtruar ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit.
Duke kërkuar veprime të menjëhershme, Lalucq tha se ka bërë një “kërkesë shumë specifike” ndaj Komisionit Evropian.
“Unë kërkoj urgjentisht që të organizoni një takim javën tjetër, brenda disa javëve të ardhshme, për të krijuar një ‘Airbus’ të sistemeve të pagesave”, tha ajo, duke pohuar se një projekt i tillë nuk do të kushtonte shumë.
“Nuk mund të themi se nuk na paralajmëruan”, shtoi Lalucq, duke thënë se distributorët, shitësit me pakicë dhe gjyqtarët janë të gjithë të shqetësuar.
“Nuk kushton asgjë, shpëton ekonominë tonë, shpëton demokracinë tonë”, përfundoi ajo.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
