Zyrtari polak: Turqia është një nga aktorët që siguron stabilitetin në botë
"Ne e vlerësojmë shumë atë që po bën Turqia. Ne e shohim Turqinë si një aktor stabiliteti dhe parashikueshmërie, veçanërisht në një botë ku po ndodhin ndryshime dramatike në rajonin tonë", tha zv.ministri i Jashtëm polak, Marcin Bosacki
Ankara
GOKHAN ÇELIKER
Zëvendësministri i Jashtëm polak, Marcin Bosacki, ka deklaruar se e vlerësojnë shumë atë që po bën Turqia dhe se e shikojnë Turqinë si një aktor që ofron stabilitet.
Bosacki, i cili ka vizituar Turqinë për kontakte zyrtare, vlerësoi marrëdhëniet turko-polake për Agjencinë Anadolu në Ambasadën e Polonisë në Ankara.
"Polonia dhe Turqia janë partnerë strategjikë që nga viti 2009 dhe marrëdhëniet tona janë vërtet në një nivel të shkëlqyer", tha Bosacki, duke shtuar se ata e vlerësojnë ndihmën e Turqisë për Ukrainën dhe përpjekjet e saj për të forcuar krahun lindor të NATO-s.
Bosacki mbrojti idenë se Polonia ndodhet nën një kërcënim serioz për shkak të provokimeve ruse, sulmeve me dronë dhe disa akteve të sabotimit.
"Nga ana tjetër, ne gjithashtu e mbështesim Turqinë, ndoshta si mbrojtësi më i fuqishëm i anëtarësimit të mundshëm të Turqisë në Bashkimin Evropian", tha Bosacki, duke përmendur gjithashtu bashkëpunimin midis dy vendeve në industrinë e mbrojtjes.
Bosacki theksoi se është koha për më shumë tregti dhe investime midis Turqisë dhe Polonisë, duke kujtuar objektivin e arritjes së 15 miliardë dollarëve në vëllimin tregtar midis dy vendeve, të vendosur gjatë vizitës së Kryeministrit polak Donald Tusk në Turqi në mars 2025.
Zëvendësministri i Jashtëm polak theksoi se shpreson që ky objektiv të arrihet në vitin 2027 ose 2028 me kontributin e sipërmarrësve dhe industrialistëve turq dhe polakë.
- Roli i Ankarasë në sigurinë evropiane
"Ne e vlerësojmë shumë atë që po bën Turqia. Ne e shohim Turqinë si një aktor stabiliteti dhe parashikueshmërie, veçanërisht në një botë ku po ndodhin ndryshime dramatike në rajonin tonë", tha Bosacki, duke nënvizuar se ata gjithashtu e vlerësojnë shumë rolin ndërmjetësues të Turqisë midis Rusisë dhe Ukrainës.
Duke rikujtuar se Ankaraja ka siguruar mundësinë për shkëmbimet e të burgosurve midis dy vendeve, Bosacki vuri në dukje :
"Shpresojmë që Turqia të luajë gjithashtu një rol në një plan më të gjerë për të zgjidhur këtë luftë agresive të zhvilluar nga Rusia kundër Ukrainës. Ne të gjithë shpresojmë për paqe, por besojmë se paqja mund të arrihet vetëm në bazë të një presioni më të fortë dhe më të vendosur ndaj Rusisë. (Presidenti rus Vladimir) Putin duhet të kuptojë se paqja do t'i sjellë më shumë dobi Rusisë sesa lufta".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
