Zyrtari amerikan: Trump "shumë i kënaqur" me përparimin drejt marrëveshjes së paqes në Ukrainë
“Jemi afruar ndjeshëm në ngushtimin e dallimeve mes ukrainasve dhe rusëve. Kjo është e qartë”, tha një zyrtar i SHBA-së.
Washington
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është “shumë i kënaqur” me përparimin e arritur drejt një marrëveshjeje për paqen në Ukrainë gjatë bisedimeve të zhvilluara në Evropë, tha sot një zyrtar amerikan, trasnmeton Anadolu.
Zyrtari, i cili ishte një nga dy përfaqësuesit që morën pjesë në negociata dhe informuan gazetarët mbi ecurinë e tyre, deklaroi se “praktikisht 90 për qind e çështjeve mes Ukrainës dhe Rusisë” janë zgjidhur, por pranoi se “ende ka disa gjëra për të cilat duhet të punohet”.
“Jemi afruar ndjeshëm në ngushtimin e dallimeve mes ukrainasve dhe rusëve. Kjo është e qartë”, tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të natyrës të bisedimeve. “Kemi disa zgjidhje të ndryshme për të kapërcyer hendekun mes palëve, të cilat po ua propozojmë atyre”, shtoi ai.
Zyrtari tjetër tha se baza e garancive të sigurisë që do t’i ofrohen Ukrainës në kuadër të një marrëveshjeje paqeje janë garanci të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s, të cilat do të shërbejnë si “një parandalim shumë i fortë” për Kievin, duke iu referuar nenit të mbrojtjes kolektive të aleancës.
“Evropianët shprehën shumë vlerësim për gatishmërinë e presidentit Trump për t’u angazhuar seriozisht në këtë çështje dhe për të ofruar garanci të tilla. Këto garanci nuk do të jenë në tryezë përgjithmonë. Ato janë në tryezë tani, nëse arrihet një përfundim i mirë, dhe presidenti Trump është shumë i fokusuar në arritjen e një zgjidhjeje të këtij konflikti që realisht ta ndalë Rusinë të lëvizë drejt perëndimit”, tha zyrtari.
Trump “beson se mund ta bindë Rusinë t’i pranojë” këto garanci të ngjashme me Nenin 5, shtoi zyrtari tjetër.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
