Bota

Zyrtari amerikan konfirmon evakuimin e stafit diplomatik nga Iraku pas kërcënimeve nga Irani

“Bazuar në analizën tonë të fundit, ne vendosëm të zvogëlojmë Misionin tonë në Irak”, tha për Anadolu një zyrtar i Departamentit të Shtetit

Michael Gabriel Hernandez  | 11.06.2025 - Përdıtësım : 11.06.2025
Zyrtari amerikan konfirmon evakuimin e stafit diplomatik nga Iraku pas kërcënimeve nga Irani

Washington

SHBA-ja po evakuon stafin diplomatik nga ambasada e saj në kryeqytetin e Irakut, Bagdad, konfirmoi një zyrtar i Departamentit të Shtetit për Anadolu.

“Presidenti Trump është i përkushtuar për të mbajtur amerikanët të sigurt, si në vend, ashtu edhe jashtë vendit. Në përputhje me këtë angazhim, ne po vlerësojmë vazhdimisht qëndrimin e duhur të personelit në të gjitha ambasadat tona”, tha zyrtari për Anadolu në një deklaratë.

“Bazuar në analizën tonë të fundit, ne vendosëm të zvogëlojmë Misionin tonë në Irak”, tha ai.

Shkalla e evakuimit, përfshirë nëse mbulon gjithë stafin diplomatik amerikan, mbetet e paqartë.

Më herët sot, ministri i mbrojtjes i Iranit kërcënoi të shënjestrojë bazat amerikane në rajon nëse shpërthen konflikti midis dy vendeve për programin bërthamor të Teheranit.

“Nëse Iranit i imponohet luftë, SHBA-ja padyshim do të pësojnë më shumë humbje sesa ne”, u tha gjeneral brigade Aziz Nasirzadeh gazetarëve në margjinat e një takimi të kabinetit në Teheran.

Ai paralajmëroi se të gjitha bazat amerikane në rajon janë brenda mundësisë së raketave iraniane. Irani do t’i “shënjestrojë ato në vendet pritëse pa hezitim”, tha ministri i mbrojtjes.

Nasirzadeh tha se Irani ka bërë “përparim të konsiderueshëm” në aftësitë e tij mbrojtëse dhe se forcat e tij operacionale janë “plotësisht të pajisura” dhe të përgatitura për çdo konflikt të mundshëm.

Kërcënimi i ministrit iranian erdhi një ditë pasi gjenerali Michael Kurilla, komandant i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), dëshmoi para Kongresit, duke thënë se i ka paraqitur një “gamë opsionesh” presidentit Donald Trump për të parandaluar Iranin të pajiset me armë bërthamore.

Në përgjigje të një pyetjeje nga Kryetari i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Rogers, nëse CENTCOM-i është i përgatitur të përdorë forcën nëse Irani vazhdon aktivitetet e tij bërthamore, Kurilla tha se po.

Tensionet midis Teheranit dhe Washingtonit mbeten të larta pavarësisht negociatave të tërthorta bërthamore të vazhdueshme të ndërmjetësuara nga Omani. Pika kryesore e ngërçit mbetet programi i pasurimit të uraniumit i Iranit.

Ndërsa SHBA-ja kërkon ndalim të plotë të pasurimit, negociatorët iranianë këmbëngulin se programi është i panegociueshëm dhe do të vazhdojë me ose pa një marrëveshje.

Raundi i gjashtë i bisedimeve bërthamore është planifikuar të zhvillohet të dielën në Maskat.

Trump, i cili më parë ka mbështetur një përgjigje ushtarake nëse diplomacia dështon, tha sot se është më pak i bindur se Irani do të bie dakord të ndalojë pasurimin e uraniumit.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın