Bota

Zyrtarët sauditë ishin në dijeni për planin e hakimit të telefonit të Bezos

Zyrtarë sauditë të afërt me princin e kurorës pohuan se ishin në dijeni të planeve për të "hakuar" telefonin e drejtuesit të lartë të Amazonit dhe pronarit të Washington Post

Emre Aytekin   | 23.01.2020
Zyrtarët sauditë ishin në dijeni për planin e hakimit të telefonit të Bezos

Ankara

Zyrtarë sauditë të afërt me princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman, pohuan se ishin në dijeni të planeve për të "hakuar" telefonin e Jeff Bezos, drejtuesit të lartë të Amazonit dhe pronarit të gazetës Washington Post, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për gazetën amerikane Wall Street Journal (WSJ), zyrtarët sauditë, emrat e të cilëve nuk janë publikuar, kanë thënë se ata ishin në dijeni të planeve për hakimin e telefonit të Bezos.

Zyrtarët kanë pohuar se operacioni i hakimit u organizua nga ish-këshilltari i princit të kurorës dhe ish-sekretari i Gjykatës Mbretërore, Saud al-Kahtani, dhe se plani ishte pjesë e fushatës më të gjerë kundër gazetarit të vrarë Jamal Khashoggi.

Ndryshe, firma e sigurisë kibernetike FTI Consulting më herët njoftoi se një video MP4 kishte arritur në telefonin personal të Jeff Bezos nga llogaria në WhatsApp e princint saudit të kurorës më 1 maj 2018, me çka pas hapjes në telefon janë zbuluar aktivitete anormale dhe të jashtëzakonshme dhe rrjedhje e madhe e të dhënave në muajt në vijim.

Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Ekzekutime Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare, Agnes Callamard, si dhe Raportuesi Special i OKB-së për Lirinë e Shprehjes, David Kaye, kërkuan një hetim të menjëhershëm në lidhje me pretendimet.

Pas përhapjes së lajmit, pronari i Washington Post, për të cilën vepronte edhe gazetari i vrarë Jamal Khashoggi, në Twitter postoi një fotografi të shkrepur nga AA nga një ceremoni përkujtimore me rastin e përvjetorit të vrasjes së gazetarit, ku ai mban dorën mbi gurin e varrit të Khashoggit.

Khashoggi u vra më 2 tetor 2018 në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Edhe pse gjykata në Arabinë Saudite dënoi me vdekje pesë të dyshuar dhe shqiptoi gjithsej 24 vjet dënim për tre persona, emrat e afërt me princin e kurorës Mohammed bin Salman janë lënë të lirë.

Në një raport prej 101 faqesh të publikuar në qershor të vitit të kaluar, Komisariati i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) kishte hedhur përgjegjësinë mbi Arabinë Saudite për "vrasje të qëllimshme dhe të paramenduar" të Jamal Khashoggit.

Raporti kishte theksur se ekzistojnë prova të besueshme për të hetuar zyrtarë të lartë sauditë, përfshirë edhe princin e kurorës Mohammed bin Salman.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.