Zyrtarët rusë, ukrainas dhe amerikanë mblidhen në Abu Dhabi për raundin e dytë të bisedimeve trepalëshe për paqe
Bisedimet, të cilat pritet të zgjasin dy ditë, vijnë pas një raundi të mëparshëm konsultimesh të mbajtura më 23-24 janar, gjithashtu në Abu Dhabi
Stamboll
Zyrtarë nga Moska, Kievi dhe Washingtoni u mblodhën në Emiratet e Bashkuara Arabe të mërkurën për një raund të dytë bisedimesh trepalëshe që synojnë të gjejnë një zgjidhje për luftën Rusi-Ukrainë që pritet të hyjë në vitin e saj të pestë këtë muaj, transmeton Anadolu.
Duke cituar korrespondentët e saj, agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA tha sot në mëngjes se aeroplani që mbante të dërguarin special të SHBA-së Steve Witkoff ka mbërritur në Abu Dhabi pas një vizite në Izrael të martën për bisedime me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu mbi Iranin.
Më parë, RIA raportoi se një aeroplan, që thuhet se mbante delegacionin e Rusisë, të udhëhequr nga Igor Kostyukov, kreu i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Shtabit të Përgjithshëm të vendit, u ul në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ajo deklaroi se, sipas Flightradar24, aeroplani u ul rreth orës 1:10 të mëngjesit sipas kohës lokale.
Ndërkohë, kryenegociatori i Ukrainës, Rustem Umerov, shkroi në Telegram të martën vonë se delegacioni i vendit të tij i raportoi presidentit Volodymyr Zelenskyy mbi përgatitjet për raundin e dytë të bisedimeve trepalëshe, si dhe negociatat e veçanta dypalëshe me palën amerikane.
"Sot (e martë), delegacioni ukrainas po niset për në Abu Dhabi... Ne kemi rënë dakord për korniza dhe direktiva të qarta nga presidenti. Detyra jonë është të arrijmë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme që do të krijojë themelet për rindërtimin e sigurt dhe rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës", shtoi Umerov.
Bisedimet, të cilat pritet të zgjasin dy ditë, vijnë pas një raundi të mëparshëm konsultimesh të mbajtura më 23-24 janar, gjithashtu në Abu Dhabi, gjatë të cilave ishin të pranishëm edhe Witkoff, Kostyukov dhe Umerov.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
