Zyrtarët iranianë lëshojnë paralajmërime duke sfiduar komentet e Trumpit për "armadën masive"
Presidenti amerikan deklaroi më herët se një “armadë masive” po i drejtohet Iranit, ndërsa shprehu shpresën që Teherani të “ulet në tryezë” për negociata me Washingtonin.
Zyrtarë të lartë iranianë lëshuan disa paralajmërime se çdo veprim ushtarak i SHBA-së kundër vendit do të shkaktonte përgjigje të menjëhershme dhe të fuqishme, transmeton Anadolu.
“Forcat tona të Armatosura trime janë të përgatitura — me gishtin në këmbëz — për t’iu përgjigjur menjëherë dhe me forcë çdo agresioni kundër tokës, ajrit dhe detit të atdheut tonë”, shkroi ministri i Jashtëm Abbas Araghchi në platformën amerikane X.
“Mësimet e vlefshme të nxjerra nga lufta 12-ditore na kanë mundësuar të reagojmë edhe më fort, më shpejt dhe më thellë”, shtoi Araghchi.
Në një deklaratë të veçantë, Ali Shamkhani, këshilltar i lartë i liderit suprem të Iranit, shkroi në X se “një sulm i kufizuar është iluzion”.
“Çdo veprim ushtarak i SHBA-së, nga çfarëdo burimi dhe në çfarëdo niveli, do të konsiderohet fillimi i një lufte dhe përgjigjja do të jetë e menjëhershme, gjithëpërfshirëse dhe e paprecedentë, duke goditur agresorin, zemrën e Tel Avivit dhe të gjithë ata që mbështesin agresorin”, theksoi ai.
Paralajmërimet erdhën pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një “armadë masive” po i drejtohet Iranit, ndërsa shprehu shpresën që Teherani të “ulet në tryezë” për negociata me Washingtonin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
