Zvicra: Sulmet në rritje të Izraelit ndaj Gazës e përkeqësojnë edhe më tej situatën humanitare
Reagimi përfshin gjithashtu thirrjen e Zvicrës për armëpushim, lirimin e të gjithë pengjeve, qasje të papenguar humanitare, respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe një rrugë të besueshme drejt një zgjidhjeje me dy shtete
Bern
Zvicra deklaroi se përshkallëzimi me sulmet tokësore që Izraeli ka filluar për të pushtuar Qytetin e Gazës e kanë përkeqësuar edhe më tej situatën humanitare, transmeton Anadolu.
Ministria e Jashtme e Zvicrës ndau një postim në platformën e mediave sociale të kompanisë X me seli në SHBA në lidhje me situatën në Qytetin e Gazës.
"Përshkallëzimi i operacioneve ushtarake (sulmeve izraelite) në qendër të Qytetit të Gazës po e përkeqëson edhe më tej situatën e patolerueshme humanitare. Përshkallëzimi i tensioneve nuk është zgjidhje", thuhet në postim.
Postimi përfshin gjithashtu thirrjen e Zvicrës për armëpushim, lirimin e të gjithë pengjeve, qasje të papenguar humanitare, respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe një rrugë të besueshme drejt një zgjidhjeje me dy shtete.
- Ushtria izraelite njoftoi fillimin e sulmeve tokësore në Gaza
Ushtria izraelite njoftoi fillimin e sulmeve tokësore në Gaza gjatë natës për të pushtuar Qytetin e Gazës në veri të Rripit të Gazës.
Gjithashtu u tha se dy divizione po merrnin pjesë aktualisht në ofensivën tokësore dhe se një i tretë do t'i bashkohet në ditët në vijim.
Edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi në seancën gjyqësore për korrupsion se ata kanë nisur sulm të dhunshëm në qytetin e Gazës.
Ushtria izraelite ka vrarë pothuajse 65 mijë palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën dhe ekspertët kanë shpallur zi buke në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
