Zvicra shqyrton sistem raketor evropian pas vonesave të SHBA-së për Patriot
Zvicra po analizon Sistemin e Mbrojtjes Tokë-Ajër me Rreze të Mesme (SAMP/T), i zhvilluar nga një konsorcium franko-italian në kuadër të Organizatës për Bashkëpunim të Përbashkët në Armatime
Gjenevë
Zvicra po shqyrton një alternativë evropiane ndaj sistemit amerikan të mbrojtjes ajrore Patriot, pasi Washingtoni ka shtyrë dorëzimin e pesë baterive raketore, transmeton Anadolu.
Vonesa vjen në një kohë kur SHBA-ja po i jep përparësi furnizimit të Ukrainës, duke krijuar pasiguri nëse Zvicra do të marrë sistemet Patriot që ka porositur.
Sipas raportimit në Sëissinfo, Zvicra po analizon Sistemin e Mbrojtjes Tokë-Ajër me Rreze të Mesme (SAMP/T), i zhvilluar nga një konsorcium franko-italian në kuadër të Organizatës për Bashkëpunim të Përbashkët në Armatime. Ky sistem konsiderohet si një nga alternativat më të besueshme evropiane ndaj Patriot.
Mediat lokale raportojnë se prodhuesit kanë bërë të ditur se dorëzimi i sistemit SAMP/T mund të realizohet deri në vitin 2029 nëse Zvicra vendos një porosi tani.
Pakënaqësia politike po rritet në skenën zvicerane. Deputeti i Partisë së Gjelbër, Clarence Chollet, tha se e sheh “shumë pozitivisht këtë alternativë evropiane”, duke shtuar se sistemi Patriot “nuk do të mbërrijë në Zvicër për vite me radhë ose ndoshta fare”.
Ministria zvicerane e Mbrojtjes nuk e ka përjashtuar mundësinë e një ndryshimi. Robert Scheidegger, zv/sekretar i përgjithshëm i ministrisë, tha se qeveria do ta diskutojë çështjen në Këshillin Federal përpara se të bëjë publik çdo vendim.
Megjithatë, heqja dorë nga marrëveshja me SHBA-në mund të sjellë rreziqe financiare dhe diplomatike. Zvicra ka paguar tashmë rreth 700 milionë franga zvicerane si parapagim.
Deputeti i Partisë Popullore Zvicerane, Mauro Tuena, paralajmëroi se tërheqja nga kontrata mund të shkaktojë penalitete dhe mund të ndikojë në blerjen e planifikuar të avionëve luftarakë amerikanë F-35.
Mbetet e paqartë nëse sistemet Patriot do të dorëzohen deri në vitin 2030 dhe me çfarë kostoje.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
