Zvicra dënon fuqishëm sulmin ajror izraelit në spitalin "Nasser" në Gaza
"Dënojmë fuqishëm sulmin që Izraeli ka kryer ndaj spitalit 'Nasser' në Khan Younis dhe i cili ka rezultuar me vdekjen e shumë civilëve", tha Ministria e Jashtme e Zvicrës
Gjenevë
Zvicra dënon fuqishëm sulmin që ushtria izraelite kreu ndaj spitalit "Nasser" në qytetin Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
Ministria e Jashtme e Zvicrës ndau një postim në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X në lidhje me sulmin e Izraelit ndaj spitalit "Nasser".
"Dënojmë fuqishëm sulmin që Izraeli ka kryer ndaj spitalit 'Nasser' në Khan Younis dhe i cili ka rezultuar me vdekjen e shumë civilëve", thuhet në postimin e ministrisë.
Ministria bën thirrje për mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës civile në çdo kohë, në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar.
- Ushtria izraelite shënjestroi spitalin "Nasser"
Ushtria izraelite mëngjesin e sotëm kreu dy sulme të ndara në spitalin "Nasser" në qytetin Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës.
Pamjet e sulmit të dytë të transmetuara drejtpërdrejt në televizionin egjiptian, treguan ushtrinë izraelite duke shënjestruar ekipet civile të kërkim-shpëtimit që përpiqeshin të evakuonin të vrarët dhe të plagosurit në sulmin e parë si dhe gazetarët që përpiqeshin të merrnin pamje.
Sipas një deklarate nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, në sulmet e kryera ndaj spitalit "Nasser", u vranë 20 persona përfshirë gazetarë dhe punonjës të kujdesit shëndetësor.
Në sulm u vranë fotoreporteri i Agjencisë së Lajmeve Reuters, Hossam al-Masri; kameramani i televizionit Al Jazeera me bazë në Katar, Mohammed Salameh; gazetarja për media të ndryshme, përfshirë Independent Arabia dhe The Associated Press (AP), Maryam Abu Deqqa, gazetari i NBC News me bazë në SHBA, Moaz Abu Taha dhe gazetari Ahmed Abu Aziz.
