Zv/kryeministrja spanjolle kritikon nënshtrimin e BE-së ndaj Trumpit
"Evropa ka dështuar të mbrojë të drejtën ndërkombëtare ndërsa luftërat intensifikohen në Gaza dhe Lindjen e Mesme", tha zëvendëskryeministrja e Spanjës, Yolanda Diaz
Oviedo
Zëvendëskryeministrja e Spanjës, Yolanda Diaz akuzoi sot udhëheqësit evropianë se treguan nënshtrim ndaj presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe kritikoi ashpër reagimin e presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ndaj konflikteve globale në rritje, transmeton Anadolu.
Duke folur për transmetuesin publik spanjoll RTVE, Diaz tha se Evropa ka dështuar të mbrojë të drejtën ndërkombëtare ndërsa luftërat intensifikohen në Gaza dhe Lindjen e Mesme.
"Është një turp që shumë krerë shtetesh heshtin. Po shohim një gjenocid në Gaza, po shohim Trumpin të bëjë çfarë të dojë, dhe tani një tjetër luftë të paligjshme dhe ilegale dhe askush nuk thotë asgjë", shtoi Diaz.
Ajo drejtoi kritika të veçanta ndaj Von der Leyen, duke e quajtur qëndrimin e saj të fundit të politikës së jashtme "të pahijshme" dhe duke akuzuar KE-në se nuk ka vepruar në një moment të paqëndrueshmërisë ndërkombëtare në rritje.
"Nuk mund të thuash se ligjshmëria ndërkombëtare nuk ka rëndësi. Një demokrat nuk mund ta thotë këtë dhe aq më pak presidentja e KE-së", tha Diaz duke iu referuar fjalimit të Von der Leyen para ambasadorëve në fillim të kësaj jave në të cilin ajo i bëri thirrje Evropës të miratojë një politikë të jashtme më realiste.
Ajo tha se Trumpi e ka bërë të qartë se BE-ja vetëm "i pengon" dhe se ai synon të "eliminojë këtë aktor të fortë në botë". "Por, larg marrjes së masave për të zvogëluar varësinë tonë teknologjike, energjetike dhe financiare nga SHBA-ja dhe për të ruajtur këtë hapësirë kyçe ekonomike dhe politike, ne i përkulemi interesave të Trumpit", tha ajo.
"Evropa nuk mund të mbetet midis Washingtonit dhe Pekinit pa bërë asgjë", shtoi Diaz. Ajo paralajmëroi se më shumë derregulim në stilin amerikan çon në më shumë pasiguri ekonomike në të gjithë bllokun dhe mund të nxisë rritjen e lëvizjeve të ekstremit të djathtë.
Pavarësisht kritikave të saj ndaj lidershipit të BE-së, Diaz tha se qeveria e Spanjës ka marrë qëndrim të qartë në Bruksel. "Qeveria spanjolle sot është një fener (ndriçues) moral", tha ajo duke shtuar se "Ne kemi folur qartë në zemër të Evropës, duke ngritur flamurin e paqes, ligjit ndërkombëtar dhe demokracisë".
Diaz theksoi se qeveria do të njoftojë masa të reja ekonomike dhe sociale të martën për të adresuar efektet e krizës ekonomike të nxitur nga lufta e Iranit. Masat pritet të përfshijnë mbrojtje për punëtorët dhe kompanitë që përballen me kostot në rritje të energjisë, përfshirë mekanizma të tillë si skemat e punësimit të përkohshëm si dhe ngrirjen e qirasë dhe ndalimin e dëbimeve.
"Nuk keni pse të pushoni nga puna askënd", tha zv/kryeministrja spanjolle e cila shtoi se "Ne kemi mekanizma për të shoqëruar kompanitë dhe për të mbrojtur punëtorët".
