Bota

Zona e sigurt në Siri do t'u sigurojë sirianëve rikthim në shtëpi

Plani i Ankarasë për të krijuar një zonë të sigurt sjell shpresë për mbi 3.6 milionë sirianët që jetojnë në Turqi

Ali Murat Alhas  | 14.08.2019 - Përdıtësım : 14.08.2019
Zona e sigurt në Siri do t'u sigurojë sirianëve rikthim në shtëpi

Ankara

Me krijimin e zonës së sigurt, në Sirinë veriore e cila synon të pastrojë grupin terrorist YPG/PKK nga rajoni, Turqia shpreson të ristrehojë një pjesë të sirianëve të zhvendosur që aktualisht jetojnë në vend.

Zyrtarët ushtarakë turq dhe homologët e tyre amerikanë të mërkurën e kaluar diskutuan detajet e planit për zonën e sigurt, duke thënë se të dyja palët janë pajtuar që të shndërrojnë zonën në një "korridor të paqes" dhe se masa do të ndërmerren për të siguruar kthimin e sirianëve të cilët ishin detyruar të braktisin vendin me dhunë.

Që nga shpërthimi i luftës së përgjakshme civile në Siri në vitin 2011, miliona njerëz kanë braktisur shtetin e shkatërruar nga lufta. Gjithsej 3.6 milionë sirianë aktualisht jetojnë në Turqi, ndërsa shumica prej tyre shpresojnë të kthehen në vendlindje.

- Kthimi në shtëpi

Mohammad al-Saadi, 42-vjeçar, për Anadolu Agency (AA) përshkruan se sa i mungon vendlindja.

"Kanë kaluar katër vite që kur u vendosëm këtu (në Ankara) me familjen time. Neve na kanë ofruar shumë mundësi, mirëpo neve na mungon vendlindja", thotë ai.

Saadi thotë se ka jetuar në qytetin Idlib në Sirinë veriperëndimore, mirëpo iu desht ta braktiste për shkak të sulmeve të rregullta ajrore nga regjimi dhe avionët rusë.

"Nuk mund ta mendoni se sa e vështirë është të flini derisa dëgjoni zhurmën sonike të avionëve luftarakë, eksplodimeve dhe të shtënave", tha ai, duke shtuar se pothuajse të gjithë qytetarët sirianë që jetojnë në rajonet e kontrolluara nga opozita vuajnë nga çrregullime psikologjike për shkak të fushatës luftarake të regjimit dhe aleatëve që nuk ka fund.

I pyetur nëse do të shqyrtonte kthimin në Siri nëse krijohet një zonë e sigurt në pjesën veriore të vendit, ai thotë: "Jo vetëm unë, ka të paktën dhjetëra (njerëz) që unë i njoh të cilët menjëherë do të ktheheshin në atë rast. Ajo (Siria veriore) mund të mos jetë qyteti ku kam lindur, por është pjesë e shtetit tim".

- "Nuk dua të jem i huaj"

Një tjetër sirian në Turqi, Omar al-Maher, tha se ka punuar si automekanik në qytetin Homs deri në vitin 2014. Megjithatë, ai u detyrua që të lëshojë shtëpinë e tij pasi shpërthyen përplasjet mes forcave opozitare dhe forcave të regjimit, ndërsa më pas erdhi në Turqi.

"Nuk mundet ndokush ta përshkruaj se si është ndjenja e të jetuarit nën kërcënim permanen të vdekjes. Ne kemi pasur jetë modeste para (luftës civile), megjithatë, gjithçka u ndryshua në vitet në vijim", thotë ai me keqardhje.

"Madje më mungojnë ditët e vështira me punë për të cilat ankohesha tërë ditën", shtoi ai.

"Familja ime dhe unë do të ktheheshim në shtëpi, nuk ka rëndësi nëse është në veri apo jug (të Sirisë) nëse do të kishim shansin. Turqit kanë qenë të mirë me ne, kjo është fakt. Megjithatë, nuk dua të jetoj si i huaj askund, në Turqi apo Evropë. Ne thjesht duam të kthehemi, është shumë e vështirë që të jemi larg vendlindjes", thotë ai.

- Një shans për një jetë normale?

Një grua siriane e moshës 29-vjeçare, e cila foli në kushte anonimiteti, pretendon se shumë njerëz që janë strehuar në Turqi do të ktheheshin në vendlindje sapo territori të pastrohej nga elementet terroriste dhe siguria e sirianëve të garantohet.

"Ka njerëz (grupe terroriste) me qëllime të sëmura, patjetër ata të largohen fillimisht në mënyrë që ne të çojmë një jetë normale. Askush nuk do të dëshironte të jetonte në një vend ku plumbat mund të të qëllojnë në çdo moment', thotë ajo.

"Gjithçka që dua është të çoj një jetë normale në vendin tim, dhe të rris fëmijët e mi pa ia menduar për sigurinë e tyre përderisa janë jashtë duke luajtur futboll", thotë ajo, duke shtuar se, "Është e drejtë e një personi që të jetojë pa frikë, jam një qenie njerëzore, a është shumë nëse kërkoj një jetë normale?"

Vanessa Tinker, akademike e Universitetit të shkencave sociale në Ankara, thotë se sirianët e zhvendosur mund të përballen me vështirësi fillestare përderisa të adaptohen në rajon dhe se siguria e tyre duhet të garantohet për të lehtësuar këtë proces.

"Duke lënë anash kushtet e jetesës, kërcënimet aktuale të sigurisë janë më problematike. Përskaj arritjes së marrëveshjes të mërkurën mes Turqisë dhe SHBA-ve për të krijuar një 'zonë të sigurt', nuk ka informata se çka do të përmbajë kjo marrëveshje", tha Tinker, eksperte në zgjidhjen e konflikteve.

Ajo shtoi se zhvendosja e sirianëve nga Turqia në Sirinë veriore pas një operacioni të pashmangshëm duhet në rregullohet në përpikmëri, pasi një përplasje mes popullatës turke dhe arabe mund të shkaktonte trazira civile në rajon.

Sipas OKB-së, mbi 5.6 milionë njerëz kanë braktisur Sirinë që kur shpërtheu lufta civile në vitin 2011. Në mesin e vendeve që kanë strehuar sirianët, Turqia ka mirëpritur numrin më të madh të tyre me 3.6 milionë. Shtetet tjera që kanë strehuar sirianë janë Libani, Jordania, Iraku dhe Egjipti.

Turqia ka premtuar një operacion anti-terrorist në territorin e Sirisë veriore në lindje të Lumit Eufrat pas dy operacioneve të suksesshme që nga viti 2016.

Në dy vitet e fundit, operacionet turke "Mburoja e Eufratit" dhe "Dega e Ullirit" kanë çliruar rajonin nga terroristët e YPG/PKK-së dhe DEASH-it, duke u mundësuar qindra mijëra civilëve të zhvendosur që të kthehen në shtëpitë e tyre.

YPG është dega siriane e grupit terrorist PKK e cila për më shumë se 30 vite është përgjegjës për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve në Turqi, duke përfshirë shumë gra dhe fëmijë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.