Zjarri masiv ndërpret samitin e klimës COP30 në Brazil
Flakët filluan brenda një pavijoni në qendrën e konventave, ku mbi 50 mijë diplomatë, gazetarë dhe aktivistë janë mbledhur për bisedime globale mbi klimën
Bogota
Një zjarr masiv ka çuar në evakuimin e samitit të klimës COP30 në qytetin brazilian Belem, transmeton Anadolu.
Flakët filluan brenda një pavijoni në qendrën e konventave, ku mbi 50 mijë diplomatë, gazetarë dhe aktivistë janë mbledhur për bisedime globale mbi klimën.
Zjarri filloi pak para orës 14:30 me kohën lokale në një tendë të vendosur në “Zonën Blu”, zona e administruar nga OKB-ja që strehon pavijonet kombëtare dhe dhomat e negociatave.
Pamjet në mediat sociale kapën njerëz duke ikur nga tymi dhe flakët derisa personeli i sigurisë kërkoi urgjentisht evakuim të menjëhershëm.
Tymi mbushi me shpejtësi sallën qendrore, ku sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, mbajti fjalime vetëm pak minuta më parë. Zjarri intensiv përshkoi çatinë, duke lejuar që flakët të përhapen në strukturat ngjitur.
Zjarrfikësit e dërguar nga një stacion aty pranë reaguan shpejt, duke i vënë flakët nën kontroll brenda pak minutash.
Ministri brazilian i Turizmit, Celso Sabino, konfirmoi se nuk ka raportime për të lënduar.
"Për fat të mirë, askush nuk u lëndua, falë veprimit të shpejtë të ekipeve të sigurisë dhe Departamentit të Zjarrfikësve", tha ai.
Më vonë, Sabino sugjeroi se shkaku i mundshëm i zjarrit ishte një qark i shkurtër.
Përgatitjet drejt samitit ishin lënë në hije nga sfidat serioze logjistike në Belem, që rrjedhin nga infrastruktura e kufizuar e qytetit dhe kostot e larta të akomodimit.
Duke hedhur poshtë shqetësimet për të ardhmen e samitit, Sabino u tha gazetarëve se "kjo është diçka që mund të ndodhë kudo në planet".
"Nuk ka mundësi të anulohet samiti, i cili po rezulton të jetë një sukses”, tha ai.
Samiti, i mbajtur në portën e Amazonës braziliane, fillimisht ishte planifikuar të përfundojë të premten, por negociatorët humbën një afat të së mërkurës për të siguruar një konsensus midis gati 200 vendeve pjesëmarrëse që diskutonin udhërrëfyesit për tranzicionin energjetik, eliminimin e lëndëve djegëse fosile dhe marrëveshjet e përshtatjes ndaj klimës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
