Zjarre të mëdha në Latakia të Sirisë, digjen 10 mijë hektarë pyje
- "Të paktën 8 anëtarë të Mbrojtjes Civile u plagosën gjatë operacioneve për shuarjen e zjarreve", thonë autoritetet.

Stamboll
STAMBOLL (AA) - Vazhdojnë të zgjerohen zjarret në veriperëndim të Sirisë, pasi kanë djegur 10 mijë hektarë sipërfaqe pyjore, thanë zyrtarët të dielën, transmeton Anadolu.
Vatra të reja zjarri shpërthyen në Qastal Maaf në periferi të Latakias, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve SANA duke cituar drejtorin e Mbrojtjes Civile, Abdul Kafi Kayyal.
Ai tha se operacionet janë duke vazhduar për të shuar flakët.
"Qindra mijëra pemë pyjore në një sipërfaqe prej rreth 10 mijë hektarësh në 28 vende janë shndërruar në hi për shkak të këtyre zjarreve", tha ministri i Emergjencave dhe Fatkeqësive, Raed Saleh në një deklaratë në llogarinë e tij në X.
Saleh tha se përveç helikopterëve të siguruar nga ekipet jordaneze dhe turke mbi 100 ekipe, përfshirë ato nga Turqia dhe Jordania, aktualisht po operojnë në terren me 160 automjete zjarrfikëse dhe 12 automjete të rënda inxhinierike për të shuar zjarret.
Tetë punonjës të Mbrojtjes Civile u plagosën gjatë operacioneve, tha ministri. Nuk është raportuar për viktima apo civilë të plagosur. Ministri i përshkroi pasojat e zjarreve si "katastrofike".
"Po punojmë brenda mundësive tona", tha ai duke falënderuar qeverinë turke për dërgimin e 16 ekipeve për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve dhe qeverinë jordaneze për dërgimin e ekipeve të zjarrfikësve dhe gjashtë helikopterëve.
"Nëse kushtet e motit mbeten siç janë dhe shpejtësia e erës nuk rritet, zjarret mund të vihen nën kontroll sot", tha ministri Saleh.
Autoritetet siriane thanë më parë se u krijua një qendër e përbashkët operacionesh në terren, në bashkëpunim me një numër organizatash, për të ofruar mbështetje logjistike në terren për operacionet e zjarrfikësve në Latakia.
Kohët e fundit, fshatrat e Latakias kanë parë zjarre intensive për shkak të temperaturave të larta, të përkeqësuara nga mbulesa e dendur pyjore dhe erërat e forta në rajon.