Zgjedhjet e pjesshme lokale në Shqipëri do të mbahen më 9 nëntor, përfshirë edhe në Tiranë
Zgjedhjet për kryetarë të bashkive do të mbahen në bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik.

Tiranë
Presidenti Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekretuar datën 9 nëntor për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar të bashkive në disa bashki të vendit, transmeton Anadolu.
Zgjedhjet për kryetarë të bashkive do të mbahen në bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik.
Vakanca në Bashkinë Tiranë është krijuar për shkak të shkarkimit nga Këshilli i Ministrave të kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj.
Vakancat në bashkitë e tjera janë krijuar për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të bashkive, të cilët të disa u zgjodhën deputetë në zgjedhjet e 11 majit.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se duke shpallur zgjedhjet e pjesshme lokale, presidenti Begaj “bën thirrje për një fushatë konkurruese, etike dhe në respektim të plotë të Kodit Zgjedhor”.
“Për shkak të interesit të lartë publik, Institucioni i Presidentit të Republikës sqaron se për vakancën e krijuar në Tiranë, Presidenti shqyrtoi rregullshmërinë e procedurës së ndjekur, në këndvështrim të respektimit të pavarësisë dhe autoritetit propozues të këshillit bashkiak dhe konstatoi se deklarimi i vakancës është bërë në përfundim të një procesi konstatimi dhe verifikimi, të kryera sipas kompetencës nga Këshilli Bashkiak Tiranë dhe nga Këshilli i Ministrave”, thuhet në njoftim.
Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar më 10 shkurt 2025, i dyshuar, sipas autoriteteve, për korrupsion dhe pastrim parash dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.
Më 23 shtator, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi projektvendimin "Për propozimin për shkarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj", me argumentin se "kryeqyteti nuk ka kryetarin e saj të zgjedhur për shkak të procesit penal ndaj tij".
Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë vendosi të shkarkojë Veliajn nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, vendim i cili është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.