Zelenskyy: Ukraina po përgatitet për raundin e ardhshëm të bisedimeve me të dërguarit e Trumpit
"Ky është koordinimi ynë i vazhdueshëm me partnerët dhe ne sigurohemi që procesi i negociatave të jetë plotësisht aktiv", tha presidenti ukrainas, Zelenskyy
Stamboll
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha sot se ekipi negociator i Kievit do të fillojë përgatitjet për një takim me të dërguarit e presidentit të SHBA-së, Donald Trump pas konsultimeve me udhëheqësit evropianë në Bruksel, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Zelenskyy tha se zyrtarët ukrainas, të udhëhequr nga Sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, Rustem Umerov, do të informojnë kryeqytetet evropiane mbi "atë që dihet pas kontakteve të djeshme nga pala amerikane në Moskë".
"Ata do të diskutojnë komponentin evropian të arkitekturës së nevojshme të sigurisë. Ky është koordinimi ynë i vazhdueshëm me partnerët dhe ne sigurohemi që procesi i negociatave të jetë plotësisht aktiv", tha Zelenskyy.
Umerov dhe këshilltarët e lartë ukrainas do të takohen me homologët e tyre evropianë në Bruksel më vonë të mërkurën, para se të zhvillojnë seancë pasuese me delegacionin amerikan mbi përpjekjet për të arritur marrëveshje paqeje.
- Kontakti i Rusisë me SHBA-në
I dërguari amerikan Steve Witkoff dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, pritet të takohen me presidentin Zelenskyy pas zhvillimit të bisedimeve me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.
Kirill Dmitriev, i dërguari i Putinit i cili mori pjesë në diskutime e përshkroi takimin si "produktiv".
Ndihmësi i presidentit rus, Yuri Ushakov tha në mënyrë të ngjashme se bisedimet ishin "konstruktive, shumë të dobishme dhe informuese", duke vënë në dukje se negociatat mbuluan "tërësisht" opsionet e mundshme të zgjidhjes gjatë një seance pesë-orëshe.
Ushakov tha se "nuk ka ende plan kompromisi për Ukrainën", por shtoi se Moska i konsideroi disa elementë të propozimit të rishikuar të SHBA-së të pranueshëm ndërsa i hodhi poshtë të tjerët. Ai tha se Putini përcolli se Rusia "mund të pajtohet me disa aspekte të planit të SHBA-së, por të tjerët u kritikuan".
Drafti i SHBA-së, fillimisht një propozim me 28 pika, është ngushtuar gjatë diskutimeve të fundit me Kievin, duke u përqendruar kryesisht në vendosjen e një kufiri "de facto" sipas një armëpushimi të mundshëm.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
