Zelenskyy të hënën takon Trumpin në Washington për të diskutuar “detajet mbi përfundimin e luftës”
Presidenti ukrainas theksoi rëndësinë e përfshirjes së Evropës në “çdo fazë” për të siguruar garanci të besueshme të sigurisë për Ukrainën, së bashku me SHBA-në.

Stamboll
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka bërë të ditur se të hënën do të udhëtojë në Washington për të diskutuar me homologun e tij amerikan, Donald Trumo, mbi “detajet në lidhje me përfundimin e vrasjeve dhe luftës”, transmeton Anadolu.
“Të hënën, do të takohem me presidentin Trump në Washington, D.C. për të diskutuar në lidhje me përfundimin e vrasjeve dhe luftës. Jam mirënjohës për ftesën”, shkroi Zelenskyy në platformën sociale të kompanisë amerikane X, pas një telefonate me Trumpin, e cila sipas tij, fillimisht nisi një për një, por më pas përfshiu edhe liderët evropianë.
Duke e përshkruar bisedën e tyre si “të gjatë dhe substanciale”, Zelenskyy tha se Trump e informoi atë për takimin e tij me presidentin rus, Vladimir Putin dhe pikat kryesore të diskutimit të tyre.
Ai tha se Ukraina riafirmon gatishmërinë e saj për të punuar me “përpjekje maksimale” për të arritur paqen dhe se është e rëndësishme që fuqia e SHBA-së të ketë një “ndikim në zhvillimin e situatës”.
“Ne mbështesim propozimin e presidentit Trump për një takim trepalësh midis Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë. Ukraina thekson se çështjet kryesore mund të diskutohen në nivelin e liderëve dhe një format trepalësh është i përshtatshëm për këtë”, tha Zelenskyy.
Më tej, presidenti ukrainas theksoi rëndësinë e përfshirjes së Evropës në “çdo fazë” për të siguruar garanci të besueshme të sigurisë për Ukrainën, së bashku me SHBA-në.
“Ne gjithashtu diskutuam sinjale pozitive nga pala amerikane në lidhje me pjesëmarrjen në garantimin e sigurisë së Ukrainës. Ne vazhdojmë të koordinojmë qëndrimet tona me të gjithë partnerët”, shtoi ai.
Trump dhe Putin u shprehën optimistë pas bisedimeve të tyre më shumë se tre-orëshe me dyer të mbyllura dje, me liderin rus që tha se kishin ardhur për të arritur një “mirëkuptim”.
Samiti në Alaskë ishte i pari midis dy presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.