Bota

Zelenskyy: Trump i gatshëm t’i ofrojë Ukrainës garanci të sigurisë

“Duhet të ketë garanci të sigurisë vërtet të besueshme. Meqë ra fjala, sot presidenti Trump foli për mbështetjen e tij dhe gatishmërinë e Amerikës për të marrë pjesë”, tha Zelenskyy

Burç Eruygur  | 13.08.2025 - Përdıtësım : 13.08.2025
Zelenskyy: Trump i gatshëm t’i ofrojë Ukrainës garanci të sigurisë

Stamboll

Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur gatishmërinë e tij për t’i ofruar Kievit garanci të sigurisë, raporton Anadolu.

“Duhet të ketë garanci të sigurisë vërtet të besueshme. Meqë ra fjala, sot presidenti Trump foli për mbështetjen e tij dhe gatishmërinë e Amerikës për të marrë pjesë”, tha Zelenskyy në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me kancelarin gjerman, Friedrich Merz.

Gjatë konferencës për media, e cila u zhvillua pas një video-konference ku morën pjesë ai vetë, Trump, Merz dhe liderë të tjerë evropianë, Zelenskyy tha se ata ranë dakord për pesë parime të përbashkëta për përfundimin e luftës në Ukrainë, përpara takimit të së premtes në Alaskë midis Trumpit dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.

Zelenskyy shprehu shpresën që tema qendrore e takimit Trump-Putin të jetë një armëpushim i menjëhershëm në Ukrainë dhe rikonfirmoi se çështjet që lidhen me integritetin territorial të vendit nuk mund të diskutohen pa marrë parasysh “shtetin tonë, popullin tonë, vullnetin e shtetit, vullnetin e popullit tonë dhe Kushtetutën e Ukrainës”.

Ai argumentoi se sanksionet duhet të forcohen nëse Rusia nuk bie dakord për një armëpushim në Alaskë, duke pretenduar se Putini “po bën blof” kur thotë se sanksionet ndaj Moskës nuk funksionojnë.

Presidenti ukrainas tha se Trump i propozoi që ta kontaktonte pas takimit të Alaskës dhe të përcaktonin “hapat e ardhshëm” pas samitit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.