Zelenskyy: Sigurimi i armëpushimit mund të mos jetë i mundur pa takim të udhëheqësve
Zelenskyy theksoi se është gati të takohet me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin rus Vladimir Putin

Kiev
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se armëpushimi për t'i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë mund të mos jetë i mundur pa takimin e udhëheqësve, transmeton Anadolu.
Zelenskyy mori pjesë në Samitin e Nëntë të Bukureshtit (B9) në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga vendet nordike dhe Ukraina ndërsa vlerësoi negociatat e zhvilluara në Stamboll për t'i dhënë fund luftës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve përmes "zoom"-it, Zelenskyy kujtoi se u mor një vendim për të kryer një shkëmbim të ri të të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës në negociatat e mbajtura në Turqi. "Ushtarët tanë do të shkëmbehen. Do të jetë 1.000 për 1.000. Përveç kësaj, mund të shtohen edhe 200 të tjerë për 200", tha ai.
Presidenti ukrainas deklaroi se ata ranë dakord për të shkëmbyer në mënyrë reciproke trupat e 6 mijë ushtarëve. "Pala jonë ra dakord t'i dorëzojë palës ruse 6.000 trupa (ushtarësh) rusë të vdekur, por kjo çështje duhet të shqyrtohet me shumë kujdes", tha ai.
Zelenskyy theksoi se është gati të takohet me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin rus Vladimir Putin.
Ai vuri në dukje se gjatë bisedës telefonike i ka thënë presidentit Erdoğan se është gati të zhvillojë një takim të tillë. "I thashë (presidentit Erdoğan) se mbështes një takim në nivel udhëheqësish. Sepse kam përshtypjen se nuk do të ketë armëpushim pa takimin tonë", tha Zelenskyy.
Më tej ai mbrojti idenë se nuk është logjike që rusët t'i ofrojnë Ukrainës armëpushim 2 ose 3-ditor për të tërhequr trupat e ushtarëve që kanë humbur jetën në front ndërsa tha se armëpushimi është në fakt zgjidhje për të parandaluar vrasjen e njerëzve.
Duke folur për memorandumin që Rusia i dërgoi delegacionit ukrainas për të siguruar një armëpushim, Zelenskyy tha se ende nuk e ka lexuar dokumentin të plotë. Ai shtoi se ka marrë disa informacione rreth memorandumit të përgatitur nga rusët. Sipas tij, dokumenti në fjalë i ngjante më shumë "ultimatumit të Rusisë".
Zelenskyy bëri të ditur se është takuar me kreun e NATO-s Mark Rutte si pjesë e kontakteve të tij në Lituani dhe njoftoi se Ukraina është ftuar në Samitin e NATO-s në Hagë.