Zelenskyy: Raundi i ri i bisedimeve të paqes Ukrainë-Rusi do të mbahet në Turqi të mërkurën
Presidenti Zelenskyy tha se në takim duhen trajtuar kthimi i të burgosurve të luftës, riatdhesimi i fëmijëve ukrainas të marrë në Rusi dhe përgatitja e bazave për një samit të mundshëm të liderëve

Istanbul
Një raund i ri bisedimesh paqeje midis Kievit dhe Moskës do të mbahet në Turqi të mërkurën, tha sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, transmeton Anadolu.
Zelenskyy tha se ka diskutuar përgatitjet për takimin me palën ruse, si dhe çështjen e shkëmbimit të të burgosurve, me Sekretarin e tij të Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, Rustem Umerov.
“Umerov raportoi se takimi është planifikuar për të mërkurën. Do të ketë më shumë detaje nesër”, tha Zelenskyy në një videoadresim në mbrëmje.
Më herët gjatë ditës, duke folur me ambasadorët në Kiev, Zelenskyy tha se Umerov ka paraqitur propozimin, duke nënvizuar se “bisedimet vërtet efektive mund të zhvillohen vetëm në nivelin e udhëheqësve kombëtarë”.
Ai u bëri thirrje diplomatëve të sigurojnë mbështetje ndërkombëtare për formatin.
Autoritetet ruse nuk kanë komentuar menjëherë mbi komentet e Zelenskyyt, megjithëse agjencia shtetërore e lajmeve RIA raportoi se bisedimet do të mbahen më 24-25 korrik, duke cituar burime.
“Rendi i ditës nga ana jonë është i qartë”, tha Zelenskyy në X. “Ju bëj thirrje të informoni vendet pritëse për rëndësinë e këtij kuadri negociues”, shtoi ai.
Ndërsa Ukraina përgatitet për raundin e tretë të mundshëm të bisedimeve të tilla, Zelenskyy shpalosi prioritetet kryesore diplomatike, duke përfshirë zgjerimin e sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, sigurimin e më shumë sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe rritjen e furnizimit dhe financimit të dronëve.
Ai tha se ndërsa Ukraina ka arritur bashkëpunim të paparë global, kërkohen formate të reja.
“Nga modeli danez te iniciativat e artilerisë çeke te ‘Mirazhet’ franceze që avancojnë aviacionin tonë… tani përparësia janë dronët, të të gjitha llojeve”, tha ai.
Duke iu referuar aseteve të ngrira ruse dhe fitoreve ligjore në arbitrazh, ai bëri thirrje për kreativitet në shndërrimin e tyre në burime për mbrojtjen e Ukrainës.
Ai përmendi gjithashtu koordinimin e vazhdueshëm me administratën e presidentit amerikan Donald Trump mbi mbrojtjen ajrore dhe iniciativat e përbashkëta të dronëve.
Zelenskyy theksoi më tej partneritetet e Ukrainës përtej NATO-s dhe BE-së, duke përmendur formate të tilla si Ukraina-Evropa Veriore, Ukraina-Evropa Juglindore dhe Platforma e Krimesë, së bashku me partneritetin special me Turqinë.
Ai nuk dha detaje mbi agjendën, por njoftimi vjen pas javësh kontaktesh diplomatike midis dy palëve, të lehtësuara përmes kanaleve turke.
Zelenskyy tha se në takim duhen trajtuar kthimi i të burgosurve të luftës, riatdhesimi i fëmijëve ukrainas të marrë në Rusi dhe përgatitja e bazave për një samit të mundshëm të liderëve.
Presidenti ukrainas javën e kaluar tha se Umerov kishte propozuar një raund të ri bisedimesh paqeje me Rusinë, duke nënvizuar gatishmërinë e Kievit për një takim në nivel udhëheqësish për të përshpejtuar procesin e negociatave.
Dy raundet e para të bisedimeve të drejtpërdrejta të ripërtërira për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës u mbajtën në Stamboll më 16 maj dhe 2 qershor.
Në bisedimet e fundit, të dyja palët ranë dakord të shkëmbenin të burgosur lufte shtesë – duke u dhënë përparësi më të rinjve dhe të plagosurve më rëndë – dhe të kthenin trupat e 6.000 ushtarëve nga secila palë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.