Bota

Zelenskyy: Raundi i ri i bisedimeve për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës pritet javën e ardhshme

Zelenskyy ka thënë për "Bloomberg News" se raundi i ri i bisedimeve është “planifikuar për të martën ose të mërkurën”, megjithëse “nuk është e qartë nëse Rusia do të pajtohet që bisedimet të mbahen në SHBA”

Burç Eruygur  | 11.02.2026 - Përdıtësım : 11.02.2026
Zelenskyy: Raundi i ri i bisedimeve për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës pritet javën e ardhshme

Stamboll

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka thënë se një raund i ri dhe i tretë i bisedimeve të paqes mes vendit të tij dhe Rusisë pritet të zhvillohet javën e ardhshme, transmeton Anadolu.

Në një intervistë telefonike për “Bloomberg News” të martën, Zelenskyy ka thënë se raundi i ri i bisedimeve është “planifikuar për të martën ose të mërkurën”, megjithëse lajmi nga intervista, i publikuar sot, thekson se “nuk është e qartë nëse Rusia do të pajtohet që bisedimet të mbahen në SHBA”.

Sipas lajmit, në agjendën e bisedimeve të pritshme do të jetë edhe një propozim amerikan për krijimin e një zone të lirë ekonomike në rajonin e Donbasit si zonë tampon mes Rusisë dhe Ukrainës. Megjithatë, Zelenskyy ka thënë se si Moska, ashtu edhe Kievi e shohin me skepticizëm këtë propozim.

“Asnjëra palë nuk është e prirur ndaj idesë së zonës së lirë ekonomike, as rusët dhe as ne”, citohet të ketë thënë presidenti ukrainas.

“Kemi pikëpamje të ndryshme për këtë. Dhe marrëveshja ishte që të kthehemi me një vizion se si mund të duket kjo në takimin e ardhshëm”, ka shtuar ai.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur janë mbajtur dy raunde bisedimesh trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së në Abu Dhabi, kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, më 23-24 janar dhe 4-5 shkurt. Pas raundit të dytë, Rusia dhe Ukraina realizuan shkëmbimin e parë të të burgosurve që nga tetori i vitit të kaluar.

Duke folur për negociatat në Abu Dhabi, Zelenskyy u tha gazetarëve javën e kaluar se SHBA-ja ka propozuar të presë për herë të parë një takim mes ekipit negociues rus dhe atij ukrainas, duke specifikuar se ky takim do të zhvillohet “ndoshta në Miami, brenda një jave”.

Ndërsa Zelenskyy konfirmoi se pala ukrainase do të marrë pjesë në bisedimet e propozuara, Kremlini deklaroi të premten se nuk ka plane për mbajtjen e negociatave për zgjidhjen e çështjes ukrainase në SHBA, por pranoi se një raund i ri bisedimesh do të zhvillohet “së shpejti”.

Moska ka kërkuar vazhdimisht tërheqjen e trupave ukrainase nga Donbasi, ndërsa Kievi ka mbrojtur qëndrimin se trupat e tij mbeten të vendosura përgjatë vijës së frontit në Ukrainë.

Autoritetet ruse ende nuk i kanë komentuar deklaratat më të fundit të Zelenskyyt.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın