Zelenskyy: Raundi i ardhshëm i bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë ka gjasa të mbahet në SHBA
“Është e rëndësishme që kjo luftë të përfundojë në një mënyrë që Rusia të mos shpërblehet për agresionin e saj. I falënderoj të gjithë partnerët tanë që na mbështesin në këtëI falënderoj të gjithë partnerët tanë që na mbështesin në këtë”, tha ai
Moskë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se raundi i ardhshëm i bisedimeve të paqes me Rusinë mund të mbahet në SHBA, transmeton Anadolu..
Zelenskyy në platformën Telegram tha se “takime të mëtejshme janë planifikuar për të ardhmen e afërt, me gjasë në Amerikë”.
“Sot mora një raport nga ekipi ynë negociator pas dy ditësh takimesh dhe bisedimesh në Emirate me palën amerikane dhe atë ruse. E pres ekipin në Kiev për një raport të plotë. Shumë aspekte nuk mund të diskutohen në telefon. Nga ajo që tashmë mund të thuhet, takime të mëtejshme janë planifikuar për të ardhmen e afërt, me gjasë në Amerikë”, shkroi ai.
Zelenskyy rikonfirmoi gatishmërinë e Ukrainës për t’u angazhuar në formate “që realisht e afrojnë paqen dhe e bëjnë atë të besueshme dhe afatgjatë, duke ia hequr Rusisë çdo oreks për të vazhduar luftën”.
“Është e rëndësishme që kjo luftë të përfundojë në një mënyrë që Rusia të mos shpërblehet për agresionin e saj. Ky është një nga parimet kyçe që rikthen dhe garanton siguri të vërtetë. I falënderoj të gjithë partnerët tanë që na mbështesin në këtë”, tha ai.
Dje dhe sot, Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja zhvilluan një takim dyditor për zgjidhjen e çështjes ukrainase në kryeqytetin Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Në përfundim, palët ranë dakord të kryejnë shkëmbimin e parë të robërve të luftës pas pesë muajsh, i cili u realizua menjëherë.
Një komunikatë e përbashkët mbi rezultatet e takimit i përshkroi diskutimet si “konstruktive” dhe “të përqendruara në mënyra për të krijuar kushtet për arritjen e një paqeje të qëndrueshme”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
