Zelenskyy: Presioni perëndimor do të vendos nëse Putini mund ta vazhdojë luftën
Presidenti ukrainas Zelenskyy tha se nuk beson se ekonomia ruse është e aftë të mbajë luftën në të njëjtën shkallë si më parë nëse presioni i sanksioneve zbatohet siç duhet
Stamboll
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se aftësia e Rusisë për të vazhduar luftën e saj kundër Ukrainës nuk do të vendoset nga retorika e presidentit Vladimir Putin, por nga niveli i presionit perëndimor, duke shtuar se sanksionet efektive mund të kufizojnë aftësinë e Moskës për të vazhduar luftimet, transmeton Anadolu.
Duke folur për gazetarët përpara udhëtimit të tij në Bruksel, Zelenskyy i hodhi poshtë deklaratat e fundit të Putinit për ruajtjen e kontrollit mbi territoret ukrainase të kontrolluara nga Rusia si mesazhe të njohura dhe jo si një shenjë force.
"Sinjalet që po jep Putini nuk janë absolutisht asgjë e re për ne. Gjithmonë kam thënë se ai nuk dëshiron ta përfundojë luftën. Pyetja është, a mund ta vazhdojë ai atë? Kjo pyetje tashmë varet nga partnerët tanë, nga presioni i tyre, sanksionet para së gjithash dhe presioni diplomatik", tha ai.
Zelenskyy shtoi se nuk beson se ekonomia ruse është e aftë të mbajë luftën në të njëjtën shkallë si më parë nëse presioni i sanksioneve zbatohet siç duhet. Ai konfirmoi se SHBA-ja po i përcjell Moskës gatishmërinë e saj për t'i dhënë fund luftës përmes kanaleve publike dhe private, duke thënë se Ukraina mbështet këtë moment diplomatik pavarësisht sfidave serioze.
"Ne nuk pajtohemi me të gjitha tiparet e disa marrëveshjeve të ardhshme. Ju e dini këtë. Ne kemi pyetje; ka disa mosmarrëveshje lidhur me çështjen territoriale, financimin, asetet e ngrira dhe disa çështje të tjera për të cilat nuk është rënë dakord", tha presidenti ukrainas.
Ai potencoi se nëse Putini ngadalëson atë që ai e përshkroi si procesin diplomatik më aktiv në kohët e fundit, SHBA-ja do të duhet të rrisë presionin ndaj Rusisë. Ditë më parë, Putini tha se Rusia favorizon një zgjidhje diplomatike, por do të vazhdojë operacionet ushtarake nëse Ukraina dhe partnerët e saj refuzojnë të "bisedojnë për substancën".
Putini ka thënë se armiqësitë do të përfundojnë vetëm nëse forcat ukrainase tërhiqen nga zonat e Donbasit që aktualisht janë nën kontrollin e Kievit.
