Zelenskyy: Pesë persona të vrarë në sulmet e Rusisë gjatë natës
Rusia tha se janë rrëzuar 108 dronë ukrainas, ndërsa të dyja palët raportuan dëme në civilë dhe infrastrukturë
Moskë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha sot se pesë persona janë vrarë nga sulmet ajrore ruse gjatë natës në qytetin e Kharkivit dhe në rajonin Sumy, transmeton Anadolu.
“Një ditë më parë, rusët goditën një shtëpi private me dron në Kharkiv. Vranë tre fëmijë të vegjël. Vdiq edhe babai i tyre. Ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen dhe miqtë. Nëna është e shtruar në spital – gruaja është shtatzënë dhe ka pësuar djegie”, tha presidenti ukrainas në një deklaratë në Telegram.
“Gjatë natës, gjashtë persona u plagosën nga një sulm me dron në rajonin Sumy, përfshirë fëmijë. Një person, për fat të keq, humbi jetën”, shtoi ai.
Zelenskyy u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë të rrisin presionin ndaj Rusisë dhe të forcojnë Ukrainën me paketa të reja ndihme financiare dhe ushtarake.
Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi se aviacioni, trupat raketore dhe artileria goditën nëntë zona të përqendrimit të forcave ruse, një pikë kontrolli dronësh, gjashtë sisteme artilerie, pesë poste komanduese dhe “një tjetër objektiv të rëndësishëm”.
Mediat ukrainase, duke cituar burime, pretendojnë se “objektivi i rëndësishëm” ka të ngjarë t’i referohet një rafinerie nafte në rajonin rus të Volgogradit, e cila raportohet se u përfshi nga flakët pas një sulmi me dron.
Guvernatori i rajonit të Volgogradit, Andrey Bocharov, në një deklaratë në Telegram, konfirmoi se “njësitë e mbrojtjes ajrore të Ministrisë ruse të Mbrojtjes zmbrapsën një sulm masiv terrorist me dronë ndaj objekteve energjetike dhe infrastrukturës civile në rajonin e Volgogradit”, duke shkaktuar dëme në një ndërtesë banimi.
Bocharov shtoi se shërbimet emergjente po lokalizojnë dhe po asgjësojnë mbetjet e dronëve.
Në një deklaratë të veçantë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj rrëzuan 108 dronë ukrainas mbi territorin rus gjatë natës.
Guvernatori i rajonit të Rostovit, Yury Slyusar, raportoi për një sulm të gjerë me dronë në 12 rrethe, përfshirë qytetin e Volgodonskut, pranë Centralit Bërthamor të Rostovit.
Si masë paraprake, autoritetet anuluan mësimin në të gjitha institucionet arsimore në Kazan, qendra administrative e rajonit të Tatarstanit, duke përmendur kërcënimin nga sulmet me dronë.
Të gjitha shifrat e viktimave dhe pretendimet territoriale bazohen në deklaratat zyrtare të palëve të përfshira. Verifikimi i pavarur mbetet i vështirë për shkak të konfliktit në vazhdim.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
