Zelenskyy nënshkruan dekretin që vendos sanksione ndaj 91 anijeve që dyshohet se janë të "flotës në hije" të Rusisë
27 anije në listë janë tashmë nën sanksione nga partnerët, përfshirë SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe BE-në, thotë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy
Stamboll
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy nënshkroi një dekret që vendos sanksione ndaj 91 anijeve që dyshohet se janë pjesë e "flotës në hije" të Rusisë, transmeton Anadolu.
Një deklaratë nga zyra presidenciale ukrainase tha se dekreti zbatoi një vendim të mëparshëm të Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare dhe se anijet u përdorën për të "transportuar naftë dhe produkte nafte" nga portet ruse në vendet e treta.
"Kjo u bë duke anashkaluar sanksionet nga BE-ja, G7 dhe shtete të tjera. Kjo dëshmohet nga rezultatet e monitorimit në Detin e Zi, të Kuq dhe Baltik", tha ajo.
Deklarata shtoi se anijet e sanksionuara lundronin nën flamujt e rreth 20 vendeve, ndër të cilat vetëm një ishte ruse, dhe se Kievi do t'u ofrojë informacione përkatëse vendeve të përfshira dhe do të punojë me partnerët për të sinkronizuar më tej sanksionet.
Ajo tha se 27 anije në listë janë tashmë nën sanksione nga partnerët e Ukrainës, përkatësisht SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe BE-ja.
Zyra presidenciale tha se puna për sanksionet kundër 64 anijeve të mbetura do të vazhdojë dhe se sanksionimi i "flotës në hije" është një përparësi për Kievin, pasi lejon "të ushtrohet presion mbi të gjithë ata që transportojnë naftën ruse dhe kështu ndihmon Rusinë të sigurojë fonde për të financuar luftën kundër Ukrainës".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
